Selia e PD është kjo, apo Abbottabad-i?

Nga Alfred Lela

Lulzim Basha ka pas gjëmuar dikur platformave e foltoreve për PD si shtëpi të lirisë. Aq shumë i ngjiti shprehja, sa e kishte edhe në hartën e Shqipërisë në mjediset e PD. E bëri, praktikisht, një prej sloganeve të forcës që drejton, që prej vitit 2013.

Sot ka printuar në ballë të selisë, dikur SHQUP-i i famshëm i oficerëve të Hoxhës, një slogan të ri: Zgjedhim të ardhmen! Me këtë nënkupton se e ardhmja e partisë dhe Shqipërisë janë ai dhe mbështetësit e tij.

Nëse slogani i sheh drejt së ardhmes, sjellja politike shkon e i ndalet në Abbottabad të Pakistanit. Ky është qyteti në lagjet e të cilit Osama bin Laden pat ngritur ‘selinë’ e tij të fundit, atë që amerikanët e quanin compound. Kur sheh dyer të vrazhda e të rënda hekuri, thonë që janë të blinduara, të instaluara për të mbajtur jashtë njerëzit, nuk mund të mos e asociosh selinë e së shkretës PD me strofullën e fundit të terroristit nr. 1 në botë.

Sigurisht, ka një paradoks të përmbysur këtu, (paradoksi vetë është një përmbysje, imagjinojeni tani në përmbysje të dyfishtë) sepse Basha pretendon se ai është ‘i amerikanëve’, ndërsa sulmuesi i tij, anti-amerikan.

Skenografia e re e selisë blu, megjithatë, duhet t’i ketë vënë, o në mëdyshje, o në nënqeshje cinike miqtë e mi amerikanë. Syri i të gjithë punonjësve të Shërbimit të Jashtëm apo CIA-s i ka familjare copëzat e puzzle-it të Abbottabad-it. Ato dyer, ai maskim i ‘selisë’, teknologjia to hide in plain sight janë kaq binladeniane sa, sado që u duhet të jenë kundër Berishës këtë herë, ata nuk mund të mos e bëjnë me vete asosacionin se një bin ladenth, si ai i fundviteve ’80, po rritet në oborrin e pakujdesisë së tyre.

Të gjithë e kanë të qartë teknologjinë pas vendimit për ta blinduar PD. E para është frika që ka Lulzim Basha prej Sali Berishës. E dyta, ama është përpjekja diabolike e të parit për ta pikturuar të dytin, dhe mbështetësit e tij si jeniçerë të dhunës.

Sidoqoftë, skenat flasin më shumë për atë që i krijon se për atë që i përdor, pra më shumë për skenografin se sa për aktorin që ngjitet në platformë. Basha, me vijimësinë e vendimeve prej fëmije të djallëzuar është duke e profilizuar veten si politikanin më joadekuat, njeriun më jopolitik, kryetarin më inkoherent në historinë e Shqipërisë. Sigurisht, mund ta bëjë këtë garë me Fan Nolin, por peshkopi i iluminuar të paktën ishte gjeni në artet liberale.

Vendim pas vendimi, Basha po dëmton jo vetëm veten, jo vetëm mbështetësit në parti, por edhe aleatët e tij të jashtëm, amerikanët. Në Rrugën e Elbasanit do të jetë ulur tashmë perdja e errët e vendimit shkel-e-shko dhe nxitimit të pakualifikuar to go ‘all in’ for this guy.

Së brendshmi, dhe politikisht, Basha e mori PD një parti të tkurrur, pas humbjes në vitin 2013, dhe premtoi hapjen ndaj shoqërisë dhe shndërrimin në ‘shtëpi të lirisë’. Tetë vjet më vonë e keni para syve rezultatin. Ai i ka përjashtuar me radhë rivalët, ka përzënë kritikët, ka heshtur mbështetësit dhe ka tentuar të vrasë politikisht dhe moralisht njeriun që e krijoi politikisht në vitin 2004.

Në proces ai ka humbur mbështetje në parti dhe në shoqëri, duke e shndërruar forcën që u ngrit në stuhitë më të pagjasa të historisë në dhjetor ’90, në një cirk ku demokratët nuk lejohen të hyjnë pa biletë, ndërsa shoqëria nuk i bie më asaj rruge. Nuk mjafton mbajtja e hundëve mbyllur dhe koka mënjanë: Në të majtë ke Lanën, në të djathtë PD e Bashës./sakte.net

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme