Intervista Ekskluzive/ Rubina Muzina: Shqipëria s’ka arritur akoma kulmin e pandemisë, do të jetë në shkurt

Voltiza Duro – Omikron po përhapet me shpejtësi të madhe në të gjithë botën e kjo vihet re në rritjen e kurbës së infektimeve. Por sa i rrezikshëm është ky variant i ri? A do të mundet të mbizotërojë mutacionet e tjera dhe a do të vulosë fundin e pandemisë? Të gjitha këto dilema janë sqaruar në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” nga epidemiologia Rubina Muzina, e cila punon në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas saj trendi më shqetësues janë shtrimet në spital të fëmijëve të infektuar me Omikron. Muzina bën të ditur se fakti që Omikron ka simptoma më të lehta nuk do të thotë që të neglizhojmë masat pasi ende jemi në pandemi.


Duket se varianti omikron po pushton botën me shpejtësi. Sa herë më e lartë është transmetueshmëria e këtij mutacioni krahasuar me Delta apo dhe variantet e tjera?

Po, tashmë siç e kam paralajmëruar dhe më parë, Omikron është bërë fjalë e ditës në botë dhe sidomos këtu në SHBA. Ne e prisnim atë që nga fillimi, sepse nga komunikimet tona të përditshme me kolegët tanë të Afrikës së Jugut dhe nga kurba e përhapjes në publik (vetëm 48 orë pas identifikimit në kontinentin afrikan, Europa njoftoi rastin e parë tek një person që nuk kishte udhëtuar, pra po përhapej me shpejtësi në komunitet) ne e kuptuam se do të kishim furtunë virale. Tashmë ne jemi në “sy të ciklopit” me Omikronin.

Çfarë Ju shqetëson më së shumti ju si mjekë?

Si mjekë më shumë na shqetëson: Trendi më shqetësues janë shtrimet në spital të fëmijëve të infektuar me Omikron. Nga studimet e bëra në laboratorë, ne e dimë që ky variant fatmirësisht nuk penetron thellë në mushkëri për të dhënë tablonë klinike të komplikacioneve të varianteve të mëparshme, por prek shumë më tepër rrugët e sipërme të frymëmarrjes. Dhe këtu është vulnerabiliteti i fëmijëve tanë që preken çdo vit nga viruset respiratore të rrugëve të sipërme por Omikroni bën që të rritet numri i komplikacioneve. Vetëm këtë javë spitali pediatrik më i madh në SHBA këtu në Teksas, Texas Children Hospital raportoi 200% rritje të numrit të fëmijëve të shtruar atje. Omikroni ka nxjerrë jashtë loje një nga terapitë tona kryesore me antikorpe që jepen në mënyrë intravenoze tek pacientët tanë për të parandaluar shkallëzimin e sëmundjes. Numri i lartë i rasteve të infektuara me Omikron rrit rrezikun që dhe një numër shumë i vogël prej tyre të përfundojnë në spital është prapë një numër i madh. Spitalet janë të mbimbushura, goditja në udhëtime, në vendet e punës, në shkolla do të shkaktojë vështirësi, por ne mendojmë se do të dalim shpejt për disa javë nga goditja e kësaj vale. Transmetueshmëria është shumë herë më e lartë se e varianteve të mëparshme. Beta (e identifikuar së pari në Afrikën e Jugut dhe Gama ( në Brazil) nuk u bënë kurrë

“lojtarë të rangut boteror” siç u bë Delta. Por Delta nuk ishte kurrë kaq e lehtë për t’u transmetuar dhe për më tepër e aftë të çajë mbulesën imunitare si Omikron.

Cilat janë simptomat që shfaqin pacientët e prekur nga Omikron?

Në këtë pikë të pandemisë, ne jemi bërë familjarë me shenjat e covid: temperaturë, kollë, humbje e nuhatjes dhe shijes. Por tashmë që Omikron është bërë varianti dominant i tij, ne po shohim që pacientët na raportojnë shenja më të lehta si kryesisht djegie fyti, dhimbje koke dhe lodhje. Por jo çdo pacient e përjeton njëlloj. Humbja e nuhatjes dhe shijes nuk është prezentë, por një simptomë tjetër jo i lidhur shumë me Covid: djersa profuze gjatë natës. Episode të djersitjeve të herëpashershme që i kanë bërë pacientët të kërkojnë të testohen.

A është më i rrezikshëm Omikron se varianti dominat pararendës?

Transmetimi më i lartë bën që omikroni përhapet shumë shpejt tek njerëzit që ata më pas ia japin njerëzve që mund të jenë “grup në rrezik”. Risku personal është më i ulët sesa risku kolektiv. por çarja e mbulesës imunitare është ajo që ne na shqetëson më shumë. Ne nuk duhet të jemi të qetë që kjo është një sëmundje  me shenja të zbutura por ne duhet  të jemi gjithmonë vigjilentë. Ne jemi akoma në pandemi.

A mund të sjellë Omikron fundin e pandemisë?

Nuk mund ta them nëse Omikron është varianti i fundit. Bota e viruseve është më e ndërlikuar se ajo bardhë e zi. Ne po ndjekim me shumë kujdes tashmë këtu infektimin e drerëve me Covid. Me sekuencë gjenetike ne provuam infektimin me të njëjtin material gjenetik si i yni, pra kemi transmetim nga njerëzit tek kafshët. Ata jetojnë shumë afër nesh dhe konsumimi i materialeve të infektuara nga njerëzit me covid, mund të ketë shkaktuar këtë transmetim. Dhe nëse drerët bëhen rezervuar virusi, mund ta komplikojë pandeminë. Nuk është e re sepse ne i dimë rastet në Danimarkë në fillim të pandemisë. Por ne mjekët gjithmonë e kemi përsëritur: Një virus që replikohet( pra sa më tepër kalon nga një person tek tjetri) aq më shumë do të ndryshojë konfigurimin gjenetik të tij për të mbijetuar. Kjo sepse nuk ka potencialin për të mbijetuar vete. Dhe sa më shumë të pavaksinuar do të kemi në planetin tonë, aq më shumë potencial për variante do të ketë. Ne kemi akoma shtete me nivel vaksinimi rreth 3% dhe kjo përkthehet në zgjatje të covid.

Sa ka qenë vdekshmëria nga Omikron deri tani?

Ne dimë që Omikroni e ka thyer lidhjen tradicionale direkte midis rritjeve të shtrimeve në spital dhe vdekjeve. Pra, janë rritur shtrimet në spital por nuk përkthehet në rritje propocionale të vdekjeve. Ne këtu presim fundin e janarit për ta vlerësuar atë.

Sa të rrezikuar për t’u riinfektuar kanë ata që e kanë kaluar virusin?

Koncepti i “imunitetit natyral” është analizuar jashtëzakonisht shumë dhe është përdorur shumë dhe nga fushatat antivaksinë ndaj mjekëve tanë. Omikroni e hodhi këtë poshtë. Riinfektime shumë të shpeshta me të. Por ne si mjekë e themi me plot siguri që imuniteti natyror nuk është arma më e fortë për tu mbrojtur në këtë pandemi. Çdo person pas kalimit të një infeksioni ka një përgjigje imunitare të vetën që jo domosdoshmërisht përkthehet në mbrojtjen ideale. Ne jemi për një imunitet hibrid – vaksinimi pas një periudhe të caktuar të kalimit të infeksionit që jep përgjigjen më të mirë imunitare mbrojtëse.

Po të vaksinuarit?

Ne kemi studime që tregojnë se Omikron bën çarje të mbrojtjes imunitare dhe ul efektivitetin e vaksinave, por të dhënat tregojnë se marrja e dozës përforcuese e çon nivelin e mbrojtjes nga vaksinat në nivelin fillestar të tyre. Ne dimë se jeta e të pavaksinuarve është shumë më në rrezik sesa e atyre që kanë marrë vaksinat. Këta të fundit kanë një kalim shumë më të lehtë të sëmundjes se të parët.

Çfarë mund të thoni lidhur me Flu Corona, a është një grip dhe Covid-19 i kombinuar?

Si specialiste e sëmundjeve infektive, unë dua ta shpjegoj thjesht për publikun: mbivendosjet e infeksioneve virale sidomos të gripit dhe viruseve të tjera që i përkasin grupit të koronaviruseve nuk ka qenë as do të jetë një risi në virologjinë e sëmundjeve infektive. Ne kemi panele testesh ku testojmë pacientët në spital dhe me një analizë të vetme identifikohen deri në 95 lloje bakteresh dhe virusesh. Thënë kjo dhe para pandemisë, ne kemi bërë studime dhe kemi identifikuar deri në 5 lloje virusesh tek një fëmijë i sëmurë me infeksion të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Por Omikroni me transmetimin e tij marramendës e bën këtë dukuri më të përhapur. Dhe duhet parë me përparësi dhe nga kolegët e mi në Shqipëri sepse dhe rastet për moshën pediatrike janë rritur atje. Jo gjithmonë një e ftohur është virus i stinës apo vetëm omikron. Flucorona është identifikuar dhe tek ne në SHBA. Një nga rastet këtu në Teksas ishte tek një adoleshent që ishte i vaksinuar kundër Covid-19 por jo kundër gripit. Prandaj ne si mjekë do të vazhdojmë të flasim për rëndësinë e vaksinimit ndaj të dyja sëmundjeve.

Pse ne nuk e pamë Flucorona vitin e kaluar?

Sepse ne ishim më të mbyllur, me masa shumë më të rrepta ndaj pandemisë (maska, jo grumbullime masive, udhëtime më të pakta) që e ulën shumë kurbën e infeksioneve nga viruset e gripit. Dhe arsyeja tjetër që tashmë njihet në virologjinë e sëmundjeve infektive është fakti që viruset “konkurrojnë, zihen ashpër” me njëri- tjetrin. Kur një virus është dominant, është pothuajse e pamundur të kesh një tjetër virus të shkaktojë të njëjtin efekt pandemik tek njerëzit. Modelet tona tregojnë se gripi do të jetë më i ashpër këtë vit në Europë dhe në SHBA. Pra shumë kujdes, sidomos për grupet në rrezik, vaksinohuni për të dyja për të mbrojtur veten, njëri- tjetrin dhe sistemin shëndetësor nga mbingarkesa e pacientëve.

Covid nuk do të zhduket kurrë?

Një pandemi diku, është një pandemi kudo. Por kjo nuk do të thotë që do të jetë në këto nivele pandemie. Ne kemi tashmë arsenalin e vaksinave, antiviraleve, terapive monoklonale që do ta ulin kurbën e pandemisë dhe do ta kthejnë atë në një endemi. Pra, ne nuk mund të flasim më për Covid- 0, pra një planet pa covid rrallëherë ndodh në fushën e virologjisë; përveç variolës. Ne nuk do të kemi eliminim të tij, as zhdukje, por do të kemi një periudhe endemie ku rritja e rasteve do të çojë në marrjen e dozave përforcuese të vaksinave për të parandaluar një valë të re. Dhe për foshnjat në të ardhmen vaksina anticovid do të jetë një pjesë normale e vaksinimit të tyre foshnjor.

Cilat janë masat që duhet të marrim?

Ne kemi studime që vetëm maskat prej cope nuk mbrojnë nga Omikroni, dyfishojini nëse nuk keni të tjera. Për ata që janë të vaksinuar, patjetër të marrin dozën përforcuese, ata që nuk janë, ju lutem, vaksinohuni. Vaksinohuni, gjithashtu, kundër gripit. Transmetueshmëria është jashtëzakonisht e madhe, periudha kur infektohesh është shumë e shkurtër, pra testohuni sa t’ju fillojnë shenjat e para, izolohuni për të mënjanuar infektimin e të tjerëve, mënjanoni grumbullimet. Shqipëria s’ka arritur akoma majën e pandemisë dhe modelet tregojnë se do të jetë në shkurt prandaj mbrohuni, kujdesuni shumë për veten dhe për njëri- tjetrin.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme