Ramë Buja kishte arritur që njerëz të lidhur me interesa të PDK-së, t’i caktonte në Bordin e Universitetit, “Haxhi Zeka”. Por, njëri prej anëtarëve që kishte caktuar, Ilhami Gashi, nuk e kishte falënderuar. Për këtë arsye, Buja e quante “qen” e “faqezi”. Ndërkohë, Bordi i KEK-ut, ishte rezervuar për “dostat e Grabovcit dhe Bujës”. Insajderi sjell tri përgjime që dëshmojnë për pazaret e anëtarëve të lartë të PDK-së me institucionet publike.
Ramë Bujës i kishte mbetur hatri se pse Ilhami Gashi, nuk e kishte falënderuar për një favor që i kishte bërë.
Ish-ministri i Arsimit e kishte caktuar, kolegun e tij partiak, Ilhami Gashin, anëtar të Bordit të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë. Mirëpo, Gashi as që e kishte falënderuar.
Për këtë arsye, Buja e quante “qen” Gashin.
Ndryshe prej Gashit, Haxhi Kastrati, një i emëruar tjetër nga Buja në këtë Bord, në shenjë falënderimi i kishte dhënë një pikturë.
Detajet e caktimit të anëtarëve të Bordit të këtij Universiteti zbulohen nga përgjimet e kryera në nëntor të vitit 2011, të cilat Insajderi i sjell të plota.
“O zoti Grabocka…, Ky Ilhami Gashi…, faqeziu…, qysh more burrë unë e çova në Bord të Universitetit të Pejës… edhe as ni faleminderës nuk ma tha bile, as mem marr në telefon”, ankohet Buja.
“Seriozisht për dallim nga Haxhi Kastrati”, vazhdon ai.
“Qysh hiq s’t’ka ka thirr a”, e pyet me habi Grabovci.