EVN-ja shkelë mbi dinjitetin tonë dhe i traumatizon fëmijët tanë!

Nga Kim Mehmeti

 

Jo vetëm vendbanimet e largëta, por edhe fshatra jo larg lagjeve të Shkupit nga ana jugore e Vardarit – e ku asnjëherë nuk ndërpritet rryma elektrike – thuajse dy dekada me radhë, përballen me të njëjtin problem – me mospasje energji elektrike!

 

Domethënë, dy dekada me radhë, shpërndarësi i energjisë elektrike, EVN-ja dikujt i shpërndanë dritë e dikujt terr, varësisht nga ajo se a jeton nga kjo anë e Vardarit, apo nga ana tjetër e tij, varësisht pra nga ajo se a banon, për shembull, në ndonjë fshat në hyrje të Shkupit, kur vjen nga Tetova, apo në dalje të tij!

 

E ndërkohë, banorët e këtyre vendbanimeve, vazhdojnë ta përtypin pakënaqësinë e tyre, duke mos pasur ku të ankohen, e as këndë ta pyesin se si është e mundur të paguash për drita, e të marrësh terr, si mundet që dy dekada me radhë, të marrësh po të njëjtën përgjigje kur pyet se pse nuk ka energji elektrike: se rrjeti qenka i mbingarkuar dhe se, defekti riparohet!?

 

Dhe kështu, EVN-ja vazhdon e papenguar të shkelë mbi dinjitetin tonë, si të ishim hajdut të cilët kërkojnë nga ajo lëmosh, e jo atë për çka paguajmë. Dhe ajo e bënë këtë sepse e ka kuptuar që vepron në një vend ‘hajdutokratësh’, vend ku pushtetarin që nuk mund ta blesh me pak, e blen me shumë para.

 

E EVN-së shumëçka i mungon, por jo edhe paratë. Andaj ajo edhe e ka ‘blerë’ heshtjen e thuajse të gjitha mediave të këtushme, të cilat media asgjë nuk shkruajnë për atë si rriten dhe cilat trauma i përjetojnë fëmijët e terr-dritës, fëmijët të cilët nuk e kuptojnë nëse kjo kompani i dënon ata pse kanë prindër hajdutë të energjisë elektrike, apo pse prindërit e tyre janë qyqarë, që nuk guxojnë ta ngrenë zërin kundër padrejtësive.

 

Po pra, ka vendbanime që jo vetëm këtë dimër, po dy dekada me radhë, përballen me të njëjtin ‘defekt’, e të cilin assesi nuk ia del ta riparojë EVN-ja. Dhe ajo nuk ia del ta riparojë këtë defekt sepse mirë e ka lexuar ‘defektin’ e pandreqshëm te shumica prej nesh: mosguximin tonë qytetarë që të dalësh e ta ‘shkelësh’ atë që t’i traumatizon fëmijët dhe që shkelë mbi dinjiteti tënd! (Kim Mehmeti)/sakte.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme