Ka kaluar një javë që në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja antiCovid. Me masat e reja parashikohet që çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të ketë: Certifikatën e vaksinimit me tri doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen dhe dozë përforcuese) kundër Covid-19, ose certifikatën e vaksinimit me dy doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen) kundër Covid-19, bashkë me testin RT-PCR negativ për Covid-19.
Qeveria e Kosovës ka miratuar të premten, 21 janar, masa të reja për luftim të pandemisë së koronavirusit, pas rritjes së numrit të rasteve të infektimit në këtë shtet.
Në vendim është thënë se situata epidemiologjike është e qetë, mirëpo rreziku mbetet pasi varianti Omicron është dominues.
Sipas vendimit të Qeverisë, qytetarët që hyjnë në Kosovë duhet të jenë të vaksinuar plotësisht dhe të kenë edhe dozën përforcuese.
Ata që nuk kanë dozën përforcuese, duhet të kenë test negativ të llojit PCR, të vlefshëm për 48 orë.
Ky vendim i Qeverisë së Kosovës është duke u kundërshtuar ashpër nga të gjithw.
Kryetari i Aleancës së Bizneseve të Kosovës, Agim Shahini, ka treguar se sa janë dëmtuar bizneset e vendit nga masat e reja të vendosura nga qeveria për menaxhimin e situatës më COVID-19.
Ai ka thënë se masat e vendosura në pikat kufitare të vendit, paraqesin ndikim negativ për të gjithë bizneset që dëshirojnë të operojnë edhe jashtë.
“Këto rregulla i vlerësojmë se janë të ngarkuara me një kërkesë të panevojshme dhe kaq të madhe. Kjo pasi një person që i ka dy vaksina kundër COVID-19 pse do të duhej t’i kërkohej testi, si dhe kundërta pse duhet t’i kërkohen dy vaksina një personi që e ka testin për COVID-19.Këtë drejtim nuk është problemi vetëm tek bizneset, sepse, maunet dhe shoferët mund të lëvizin. Por, qytetarët dhe biznesmenët që mund të lëvizin për të kontraktuar mall duhet të iu nënshtrohen këtyre rregullave”.
Shahini ka deklaruar se probleme kanë pranuar edhe nga bizneset që vijnë drejtë Kosovës nga vendet fqinje.
“Kemi kërkesa të vazhdueshme të njerëzve e shohim edhe në kufi se është numri i vogël i qytetarëve dhe bizneseve që lëvizin në të dyja anët. Kemi pranuar reagime nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe nga Lugina e Preshevës. Mendoj se duhet të kemi një mirëkuptim për vendet fqinje sa i përket masave, pasi marrim atë çka ne mundemi të ofrojmë, në të kundërtën po vetizolohemi”.
Ai ka theksuar se i kanë bërë thirrje Qeverisë Kurti që të lirojnë sa më shpejtë këto masa.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, vlerëson se ekzekutivi duhet të ndryshojë masën për hyrjen në Kosovë me dozë të tretë të vaksinës ndaj COVID-19 dhe e njëjta masë të zëvendësohet me bërjen e testeve rapide falas në kufi.
“Masat e fundit dhe sidomos kërkesa për dozën e tretë të vaksinës ka qenë e panevojshme në këtë fazë, pasi edhe me dy vaksina qytetarët po arrijnë të infektohen sërish me COVID-19. Kam kërkuar që kjo masë të ndryshohet dhe të ofrohen teste rapide në kufij falas, pasi edhe saktësia e tyre është e lartë dhe e shpejtë”.
Reshitaj theksoi se kjo masë është e pavend, pasi qytetarët në vend ende nuk janë vaksinuar në shumicë me këtë dozë.
“Ka ende diskutime në arenën ndërkombëtare se a duhet të vaksinohen të gjithë qytetarët me dozën përforcuese dhe të mos harrojmë që këto doza janë të domosdoshme për kategoritë më të rrezikuara. Kur ne si vend nuk kemi arritur që të vaksinojmë në masë qytetarët me tri doza dhe t’u kërkojmë qytetarëve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera, është e pavend”, tha Reshitaj.
Tutje, deputetja vlerëson se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike do të duhej të bënte hulumtime rreth varianteve të COVID që janë të pranishme në Kosovë.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se ka pranuar mesazhe dhe thirrje nga Kukësi, Lugina e Preshevës, Shkupi e Tetova në lidhje me kërkesën për tre doza të vaksinës për të hyrë në Kosovë.
Hoti e ka quajtur shqetësuese mungesën e koordinimit të qeverisë së Kosovës me qeveritë në Tiranë, Shkup dhe me Luginën e Preshevës.
“Këto ditë kam pranuar mesazhe dhe thirrje nga Kukëksi, Lugina e Preshevës dhe Shkupi e Tetova. Kërkesa për tri doza të vaksinës për të hyrë në Kosovë është vërtetë e pakuptimtë. Shqetësuese është mungesa e koordinimit të Qeverisë së Kosovës në marrjen e vendimeve të tilla me Qeverinë në Tiranë dhe atë në Shkup, si dhe me Kryetaren e Preshevës”, ka shkruar Hoti.
Ai ka thënë se vendimi duhet të ndryshohet menjëherë.
Edhe kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti, sa i përket çështjes së menaxhimit me pandeminë e koronavirusit.
Krasniqi ka thënë është e pakuptimtë masa e Orës Policore për qytetarët, meqë ‘virusi nuk është karakter mitik, që zgjohet natën e fle ditën. Ka edhe një telashe tjetër sa i përket masave”.
”Ta zëmë, ne jemi i vetmi vend që kemi Orë Policore pa ndërprerë sa e sa muaj. Është e pakuptimtë, dhe kjo Orë Policore nga mesnata tashmë është kthyer nga ora 22.00, që e vështirëson realisht në kuptimin mental, përcepsional të qytetarëve për sa i përket gjendjes që e kemi. E po ashtu virusi nuk është një karakter mitik, që ngritët natën e fle ditën. Por, është në prezencën tonë gjatë gjithë kohës”.
Kurse, zëvendësministri i Shëndetësisë në Maqedoni, Ilir Hasani ka thënë se kufizimi i lëvizjes mes Kosovës dhe Maqedonisë epidemiologjikisht nuk ka asnjë peshë për momentin.
Ai është shprehur se nuk po arrin të kuptoj veprimin e ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi,
Tutje Hasani ka thënë se Latifi duhet të rishqyrtoj urgjentisht vendimin e marrë.
“ Me shumë vështirësi dhe mezi e bëmë hapjen e kufirit, pas kufizimeve të para që ishin vendosur në fillim të pandemisë. Një vendim i tillë i kufizimit të lëvizjes së lirë të njerëzve tanë, kur tan bota fillon ti tërheq kufizimet dhe certifikatat, do reflektoj në vështirësi të panevojshme në plan ekonomik, social, shpirtnor, etj. Ministër, kolegu im Latifi, respekt si profesionist që je, por vendimin duhet ta rishqyrtojsh urgjentisht.”, ka shkruar ai ditën e djeshme në rrjetin e tij social Facebook.
Ndërsa, kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se vendimi i marrë nga Qeveria e Kosovës në lidhje me masat Anti-COVID, ka vështirësuar dukshëm lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Komunës së Preshevës.
Kjo javë ka shënuar fluksin më të vogël të lëvizjeve në dy anët e kufirit.
Kjo i faturohet masave të vendosura nga Qeveria e Kosovës për të pasur tri doza vaksinimi për këdo që hyn në territorin e Kosovës.
Zëvendëskomandanti i pikës kufitare të Vermicës, Ismet Hodaj, konfirmoi gjatë ditës së djeshme reduktimin e ndjeshëm të lëvizjeve.
Masat e Qeverisë së Kosovës kundër përhapjes së Covid-19 kanë ndikuar më së shumti te lëvizjet dhe ekonomitë familjare të qytetarëve shqiptarë, të cilët punojnë dhe kryejnë vizita shëndetësore në qytetet e Kosovës./Monitor