Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska, ka kërkuar nga kryeparlamentari Talat Xhaferi që të ushtrojë autoritetin e tij dhe Kuvendi sa më shpejtë të zgjedhë katër gjyqtarë kushtetues. Në një letër drejtuar Xhaferit, Kacarska ka shprehur shqetësimin për situatën në Gjykatën Kushtetuese, pasi në Gjykatë aktualisht punojnë vetëm pesë gjyqtarë kushtetues në vend të nëntë, shkruan Alsat.
“Kjo ka ndikim në vendimmarrje kur shpesh herë ndodh që propozimi të mos marrë shumicën e nevojshme, për çka tani për momentin për 16 lëndë nuk mund të merret ndonjë vendim për shkak të shumicës së pamjaftueshme. Përveç kësaj, më duhet të përmend se para Gjykatës duhet të shqyrtohen lëndë që janë me interes të lartë për shtetin dhe të cilat duhet të vendosen me përbërje të plotë, e me këtë vendimet do të kishin peshë më të madhe”, tha Dobrilla Kacarska, kryetare e Gjykatës Kushtetuese
Xhaferi i është përgjigjur letrës, duke thënë se për shkak të pengesave në punën e Komisionit për zgjedhje dhe emërime, nuk munden të propozojnë gjyqtarë.
“Propozimet e anëtarëve të Komisionit nuk mund të marrin dritën jeshile që të njëjtit të shqyrtohen në seancë plenare në Kuvend dhe për momentin Kuvendi nuk mund të zgjedhë gjyqtarë kushtetues dhe të mundësojë funksionimin normal të Gjykatës Kushtetuese”, thonë nga Kuvendi
Deputeti i VMRO-së Antonio Milloshovski thotë se edhe pse opozita ka shumicën e votave, do të jenë konstruktiv për propozimin e gjyqtarëve të rinj kushtetues.
“Ne thamë që si opozitë në këtë moment jemi të gatshëm ta caktojmë atë komision dhe nëse ka ofertë cilësore për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të diskutojmë dhe të marrin vendimin më të mirë të mundshëm. Por është e qartë se pushteti tashmë i ka premtuar dikujt për të qenë gjyqtar kushtetues dhe për këtë arsye dëshiron të bëjë ndryshime në komision”, tha Antonio Milososki, deputet i VMRO DPMNE
Nga fillimi i vitit Gjykata Kushtetuese punon me vetëm pesë gjyqtarë nga gjithsej nëntë, pasi në janar i skadoi mandati njërit prej gjyqtarëve kushtetues. /Alsat.mk