Ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Niko Peleshi, ka thënë se pushtimi i mundshëm i Ukrainës nga Rusia, do të mund të ndikonte në politikat e brendshme të disa vendeve të rajonit, duke përfshirë edhe proceset politike mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka përmendur çështje të nxehta dhe ende të hapura në Ballkan, siç është veriu i Kosovës, dialogu Kosovë-Serbi të cilat mund të ndikohen nëse ndodh një sulm ushtarak atje.
Por, një ndikim të drejtpërdrejtë të Rusisë në çështjet e sigurisë, në mes të Kosovës dhe Serbisë, e ka përjashtuar njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja.
Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Qehaja ka thënë se megjithëse kriza në Ukrainë ka një ndikim të rrezikshëm për sigurinë evropiane, ajo nuk ndikon në Kosovë dhe Serbi, pasi problemet mes të dyja vendeve janë të dukshme qe 22 vite.
“Mendoj se kriza në Ukrainë, ka një impakt të rrezikshëm për sigurinë evropiane, por edhe të gjendjes së gatishmërisë luftarake të NATO-s në përgjithësi. Ndoshta edhe më gjerë. Për të analizuar këtë situatë, kërkon më shumë kohë dhe trajtim shumë dimensional, unë nuk do të merrem me këtë. Marrë në përgjithësi, unë mendoj se kjo situatë nuk mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë, në çështjet e sigurisë, në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ky është mendimi im. Aq më parë, që ne me Serbinë kemi probleme të shumta të karakterit të sigurisë, probleme diplomatike, politike, etj. qe 22 vite, përkatësisht prej mbarimit të luftës mes Serbisë dhe Kosovës e këndej”, ka thënë gjenerali për gazetën.
I pyetur edhe për veriun e Kosovës, si një pikë e nxehtë në Ballkan, njohësi i çështjeve ushtarake, ka thënë se Serbia që nga përfundimi i luftës, ka qenë e pranishme atje.
Ai ka theksuar se gjendja në veri të Kosovës, kërkon trajtim të veçantë diplomatik dhe të sigurisë.
“Gjendja në Ukrainë, përkatësisht rrezikshmëria, e cila është atje prezente për luftë mes Rusisë dhe Ukrainës, poashtu mendoj që nuk mund të ketë ndikim te ne, për veriun e Kosovës, aq më parë që në veri të Kosovës, Serbia që prej mbarimit të luftës e këndej, me intensitet të vogël apo të madh, pati ndikim deri në ditët e sotit në mënyra të ndryshme. Pra, ka qenë gjithnjë prezente atje. Gjendja në veri kërkon trajtim të posaçëm, diplomatik para së gjithash, por edhe të spektrit të sigurisë, për çka unë tash nuk duhet të flas”, është shprehur më tej Ramadan Qehaja për “Bota sot”.
Ai ka theksuar më tej se Rusia është një faktor destabilizues në Ballkan dhe kjo u pa edhe me armatosjen e fundit të Serbisë me armë moderne.
“Në veriun e Kosovës jemi duke u ballafaqur qe 22 vite, po e përsëris, aq më parë që Serbia ka pasur influencë dhe në kohët e fundit është armatosur me armë më moderne nga Rusia dhe ajo faktikisht është një fakor destabilizues këtu në Ballkan e lëre më për ne, për Kosovën në përgjithësi. Prandaj, kjo po shihet tash dhe situata në Ukrainë, nuk mendoj se mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë e veriut të Kosovës, apo në Kosovë në tërësi”, ka thënë Qehaja.
Ndërsa, duke komentuar zhvillimet e fundit në Ukrainë dhe stërvitjet që Rusia po i zhvillon në Bjellorusinë, gjenerali ka thënë se qëllimi i Vladimir Putinit është të zmbraps NATO-n që Ukraina dhe shtetet rreth saj të mos u lejohet inkuadrimi në këtë aleancë.
Sipas tij, Rusia don të tregojë që është një superfuqi, duke porositur se me të duhet pasur kujdes.
“Unë personalisht mendoj, ndoshta nuk kam të drejtë, edhe pse nuk kam bërë ndonjë studim të veçantë, lidhur me këtë, por ajo çka po shihet atje dhe çka po dëgjojmë, mendoj se Rusia është duke bërë një manovër aq të madhe, para se gjithash diplomatike, mandej ushtarake, nëpërmjet këtij manovri ushtarak, diplomatik, edhe nëpërmjet Bjellorusisë, që një herë e përgjithmonë ta bëjë një zmbrapsje të NATO-s që Ukrainën dhe shtetet përreth saj të mos i lejojë të inkuadrohen në NATO. Ky është qëllimi kryesor i Rusisë dhe së dyti Rusia don të tregojë se është një superfuqi, për të cilën duhet pasur kujdes, sepse disponon me forca shumë të mëdha ushtarake, por gjithesesi në planin diplomatik, ajo do të ketë çështje negative në përgjithësi në Evropë, por edhe më gjerë”, ka shtuar Ramadan Qehaja për gazetën “Bota sot”./Botasot