Egërsia e mafies shqiptare që po ngjit shkallët e kriminaliteti në Romë. Shfaqet në disa foto të nxjerra nga serveri i përdorur për komunikim sekret nga banda e Elvis Demçes.
Sistemi i mesazheve “Sky Ecc”, i zbërthyer nga karabinierët në bashkëpunim me EUROPOL, po iu jep hetuesve të dhëna, gjurmë e konfirmime të krimeve në një shkallë shumë më të gjerë se ajo që në mesin e janarit çoi në burg për trafik droge vetë bosin me emrin “Spartaku”, që kishte pasur bashkëpunuar më herët me Fabrizio Piscitellin, i njohur si “Diaboliku”, bashkë me 26 persona të tjerë.
ZBULIMI I NJË RRËMBIMI
Personi që është zbuluar me anë të një fotoje të bërë me celular ka qarkulluar midis grupit si një “meme” për të qeshur. Bëhet fjalë për një shtetas italian, më saktë roman, i moshës 41-vjeçare, me nofkën “il Gelataro” (Shitesi i akulloreve) pasi thuhet se ka punuar në një bar, si dhe “regjent’ i sheshit të “Dy Luanëve” në Tor Bella Monaca, ku kryhet aktiviteti.
Ai është dyshuar nga grupi kriminal se ka treguar emrat e shqiptarëve në kuesturë. Në rrëmbimin e tij, me synimin për t’i marrë 50 mijë euro, kanë qenë të pranishëm shqiptari Demçe, Alessio Lori, me nofkën “Chiappa”, Cristiano Zeppettella Braccio, Nikolin Shkrepi me nofkën “Frato” dhe një tjetër i identifikuar vetëm si “Pongo”.
Synimet janë të qarta që në fillim: “Shkojmë e marrim, e hedhim diku, që mos t’i gjenden më gjurmët këtij legeni”. Por në fillim, Lori i kërkon Demçes leje për të vepruar: “Më lër ta tremb, do ta çoj në mes të ndonjë fushe e do t’i vë hekurin (revolen) në gojë”.
BISEDAT MES ANËTARËVE
Lori ngarkon Pongon për rrëmbimin, duke i thënë: “E merr e ma sjell. I them ‘kam marrë vesh që je spiun, zagar i ndyrë”,si një mënyrë për ta mbajtur peng dhe për ta gjobitur. ‘U tha e u bë’”, shkruhet mes anëtarëve të bandës dhe në fund të misionit banda shkrihet së qeshuri: “Dërgova incizimin me Fraton, ku ky zagari fliste e qante.
Frato i thoshte: “qen, je me ata te rruga ‘Genova’”, që nënkupton Komisariatin e Policisë. Karabinierët vënë në dukje se për të treguar forcën e grupit kriminal të drejtuar prej tij, Demçe, i dërgon foton edhe një bashkëpunëtori, duke i shkruar se i kishte marrë paratë dhe se ky do të ishte fundi i personave që nuk e respektojnë.
Akoma më shqetësues është propozimi për vrasjen e prokurorit Francesco Cascini, titullar bashkë me kolegun, Mario Palazzi, i hetimit të “Aquila Azzurra” që solli edhe shkatërrimin e grupit. “Të shtunën kam festë, çfarë do më sjellësh për dhuratë?”, pyet Demçen një bashkëpunëtor, duke aluduar për projektin e vrasjes së “prokurorit që do të më shohë të vdekur”.
Biseda e regjistruar zbulon edhe pistoletën dhe automatikun që do të përdoreshin: “Bën p… me makinë të blinduar. Do t’ia bëj shoshë”.
Ideja, sipas hetuesve ishte e Alessandro Corvesit, ishfutbollist me të rinjtë e Lazios, i arrestuar në korrik në Ponte Milvio me 27 kilogramë kokainë.
Më pas vijohet edhe me mekanizmin se ku dhe si do të qëllohej mbi prokurorin: “Kanë vrarë ndonjëherë ndonjë prokuror? Janë me roje? Dua ta vras. Do ta qëlloj në piazza le Clodio (rruga e gjykatës)”. Dhe Demçe, pasi thotë që “po përpiqen të na shkatërrojnë”, por duke parë vështirësinë e atentatit, propozon një alternativë për të futur në lojë prokurorin që lidhet me rekrutimin e një vajze që t`i shfaqet atij në rolin e prostitutës: “T’i çojmë një prostitutë për t’i bërë një video komprometuese me të cilën t’i bëjmë shantazh”.