Gazetar: Bashkim Sulejmani
– Advertisements –
Pas heshtjes së politikës për zgjidhjen e problemit me lojërat e fatit, Lëvizja Anti bixhoz, paralajmëron protestë masive për ditën e martë, kundër hapjes së kazinos pranë çerdhes Rinia në Tetovë, shkruan Alsat.
Nga kjo lëvizje thonë se do të përdorin çdo metodë demokratike për të penguar hapjen e kazinos.
“Ndjehemi të tradhtuar dhe totalisht të zhgënjyer nga ju politikanë, dhe nga pafuqia juaj që mos ndoshta dëshironi t’iu quajmë vendimmarrës se jeni të zgjedhur nga ana e popullit por nga ana tjetër sillni propozime e vendosni kundër këtij populli. Andaj, njoftojmë opinionin se më datë 22 shkurt, në ora 14:00, do jemi në përkrahje të protestës qytetare kundër hapjes së kazinos pranë çerdhes Rinia, tek rreth rrotullimi tek fabrika Tetekst”, thotë Jushi Emërllahu, Lëvizja Anti bixhoz.
Protestat do t’i mbështesë edhe kreu i Komunës së Tetovës Bilall Kasami.
“Do shfrytëzoj gjitha mekanizmat institucionalë që i kemi në komunë për të rënduar dhe penguar aktivitetin e tyre sepse vlerësoj se është një veprimtari e keqe. Edhe më herrët kam thënë që minimumi që do bëj si kryetar komune është të jem në mesin apo mos të them në ballë të protestës për çdo aktivitet që ndërmerret në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi”, u shpreh Bilall Kasami kryetar i komunës së Tetovës.
Ndërkaq Ministria e Financave vazhdon të hesht dhe refuzon të sqarojë përse ka dhënë leje për hapjen e kazinos në afërsi të institucionit parashkollor, në kohën kur ka hartuar ligj për ndalimin e hapjes së kazinove dhe bastoreve pranë institucioneve arsimore dhe publike. / Alsat.mk