Në Shqipëri është aktivizuar Shtabi i Përparuar i Komandës së Forcave Speciale amerikane në Evropë, me anë të një ceremonie me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë dhe përfaqësuesve të ambasadës së SHBA-së në Shqipëri, transmeton Anadolu Agency(AA).
Në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, thuhet se ky shtab do ofrojë ekspertizë të lartë dhe do të sigurojë ndërveprueshmëri me Forcat Speciale shqiptare, por edhe me ato të rajonit.
Në fjalën e tij në ceremoni, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, ka theksuar se rëndësia dhe jehona e vendosjes së këtij shtabi, i kalon kufijtë e Shqipërisë, pasi sipas tij “është i një rëndësie të veçantë për të gjithë rajonin”.
“Ne vlerësojmë dhe mirëpresim përpjekjet e panumërta të Shteteve të Bashkuara për sa i përket rritjes së aftësive dhe kapaciteteve ushtarake të vendeve të rajonit tonë dhe, në veçanti, mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme që SHBA kanë dhënë për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Dislokimi i këtij shtabi në Shqipëri, është një tjetër provë e fortë e këtyre përpjekjeve”, theksoi ministri Peleshi.
Sipas ministrit Peleshi, ky vendim ka ardhur “në momentin e duhur, në kulmin e pasigurive dhe situatës së zymtë që po kalon kontinenti ynë, si dhe dëshmoi për të disatën herë lidhjen e fortë që buron nga partneriteti strategjik i Shqipërisë me SHBA-në”.
“Vendi ynë e ka bërë të qartë qëndrimin për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, sipas kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht. Mbështetja jonë për Ukrainën ka qenë dhe do të vijojë të jetë e palëkundur. Kjo mbështetje konsiston në qëndrime politike, diplomatike, e cila kulmon me veprimet dhe qëndrimet tona në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por edhe mbështetje të natyrës praktike ushtarake. Për më tepër, kush mendonte se do të na përçante në këtë situate të vështirë, bëri llogari të gabuara, pasi, Aleanca jonë, BE-ja dhe gjithë komuniteti perëndimor u bashkuan dhe janë më të bashkuar se kurrë më parë, në mbështetje të Ukrainës”, ka shtuar ministri Peleshi.
Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, gjatë fjalës në këtë ceremoni theksoi se prania e kësaj baze amerikane, tregon se lidhjet mes Shqipërisë dhe SHBA-së “janë më të forta se kurrë”.
“Me vënien në funksion të Task Forcës për Ballkanin për herë të parë në histori, Shqipëria ndoshta për habi të të gjithëve, do të jetë baza e një pranie të përhershme ushtarake amerikane”, u shpreh ambasadorja Kim.