Është mbajtur mbledhja komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të Haki Rugovës – ish-nënkryetarit të LDK-së, ish-kryetarit të Komunës së Istogut, njëherësh veprimtarit të ditëve para të rrugëtimit për liri e pavarësi.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, përkujtoi personalitetin e Haki Rugovës.
“Hakiu ishte një personalitet i veçantë, siç ishte e veçantë urtia dhe sjellja e tij në politikë. Ishte i vendosur, vizionar e këmbëngulës në qëndrimet e tij. Ata që patën nderin ta njohin nga afër, flasin për një burrë fjalëpak por me peshë; për një njeri modest por të vendosur. Mbi të gjitha, për një besues të pakompromis të rrugëtimit politik institucional e Rugovist. Ai nuk kurseu asgjë nga vetja për t’i dhënë vendit një të ardhme më të mirë”, tha ai.
Abdixhiku ndër të tjerash ka folur edhe për veprimtarinë e Rugovës dhe rrugëtimin e tij.
“Në Istog, veprimtaria e tij politike ishte ngushtë e ndërlidhur me qytetarët që vazhdimisht i dhanë besim. Ai, në tre palë zgjedhje lokale nga viti 2000 deri në 2009, u zgjodh anëtar i Kuvendit të Komunës së Istogut. Pas shërbimit si Kryeshef Ekzekutiv e Zëvendës Kryesues i Kuvendit Komunal, në vitin 2010, Haki Rugova ishte zgjedhur si prijëtar i Komunës së Istogut. Këtë detyrë, me besim të rikonfirmuar në tri palë zgjedhje, ai e ushtroi për 11 vite”, ka thënë Abdixhiku.
Ai për emrin e tij tha së është i gravuar jo vetëm në shtëpinë politike, por edhe në historinë moderne të Republikës së Kosovës.
“Haki Rugova, nga dje iu bashkua vargut të pasosun të burrave të mëdhenj të Kosovës që në vite e rrethana të ndryshme ikën nga kjo botë pasi kishin dhënë gjithçka nga vetja e tyre për vendin tonë. Për këtë ndihuni krenar të gjithë. Emri i tij është i gravuar jo vetëm në shtëpinë politike tonën, por në historinë moderne të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.