Albin Kurti:Serbia ka plan ta aneksojë Trepçën

Ish-kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti analizon  situatën e tashme në Kosovë, ngërçin politik në Maqedoni, githashtu rolin që kanë shqiptarët në rajon.

Për arrestimin e Haradinajt në Francë, ish-kreu i Vetëvendosjes, Kurti tha se nuk është vetëm fryt i propagandës serbe, paaftësisë së qeverisë së Kosovës, por dhe qasja e dyfishtë, që sipas tij, ka Franca dhe e djathta ndaj Kosovës.

“Në këtë këndvështrim një nga problemet që Serbia i hap Kosovës prej kohësh,- thotë ai,- është dhe përfitimi i njëanshëm tregtar që vijon të ketë”.

Në këtë intervistë për gazetën “Shekulli” ai zbulon se për llogari të kujt u tentua të ngrihet muri në pjesën veriore të Mitrovicës, treni që u nis për në Mitrovicë me slogane “Kosova është Serbi” dhe “lojën” që po luan Thaçi për t’i zhvendosur negociatat Serbi-Kosovë në nivel Presidentësh në mënyrë që të jetë më dorë lirë për të mbyllur “koncesionet”, Trepçën dhe “Zajednicën”.

Si e vlerësoni pozitën e shqiptarëve në rajon këto muajt e fundit?

Pozita jonë varet nga synimet që kemi dhe rrugët që ndjekim, nga fuqia jonë dhe puna që bëjmë, si dhe nga marrëdhëniet e zhvillimet ndërkombëtare të superfuqive botërore e të fqinjëve të shqiptarëve. Një komb a shoqëri janë të fuqishme varësisht nga ekonomia, arsimi dhe ushtria që kanë. Nuk më duket që jemi të përgatitur për sfidat e këtij shekulli. Benjamin Franklin thoshte që dështimi në përgatitje është përgatitje për dështim. Doemos duhet të përgatitemi suksesshëm.

Çfarë duhet në raport me Serbinë, pas gjithë këtyre ngjarjeve?

Në establishmentin e Serbisë nuk ka keqardhje e pendesë për krimet që i kanë bërë në të kaluarën mbi shqiptarët. Teksa refuzon të ballafaqohet me të kaluarën e saj, krimet e dikurshme ndaj shqiptarëve Serbia sot i vazhdon me armiqësinë ndaj tyre. Ajo nuk është vetëm kundër pavarësisë së Kosovës. Në vitin 1989 Serbia e pat suprimuar edhe autonominë e Kosovës, kurse në vitin 1999 kreu gjenocid. Në këto rrethana, sa më mirë që sillesh më Serbinë, aq më e keqe bëhet ajo. Mirësinë tonë ajo e kupton veçse si dobësi. Në marrëdhëniet me Serbinë ne duhet ta zbatojmë parimin e reciprocitetit dhe ta kushtëzojmë Serbinë. Nuk ka kuptim që në dialogun në Bruksel Kosova të jetë më shumë temë sesa palë. Serbia duhet të na i paguajë dëmshpërblimet e luftës për humbjet e vuajtjet që na i ka shkaktuar, ndërsa Kosova si treg ku Serbia lirshëm shet gjysmë miliardi euro mallra në vit të kushtëzohet me njohjen e pavarësisë.

Keni paralajmëruar ndër vite situatën aktuale në veri të Kosovës dhe Mitrovicë, çfarë fshihet prapa trenit e murit dhe pse tani?

Nuk ka gjë të fshehtë këtu. Ndoshta hutimi vjen nga transparenca e tepërt. Serbia ka paralajmëruar që me 15 shkurt 2017, pra vetëm dy ditë para përvjetorit të nëntë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, strukturat e saj në Kosovë do ta shpallin njëanshëm “Zajednicën”, përkatësisht Bashkësinë e komunave me shumicë serbe. Njësoj patën vepruar në Bosnje më 26 prill të vitit 1991 kur e shpallën Asociacionin e 14 komunave serbe. Serbia ka pasur shpresë që nënshkrimet e Thaçit e Mustafës në Bruksel mjaftojnë për ta realizuar “Zajednicën” në Kosovë. Duke iu falënderuar protestave popullore e padëgjueshmërisë parlamentare, peticionit të 205.000 qytetarëve dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Thaçi e Mustafa u deligjitimuan, kurse “Zajednica” vdiq. Tash Serbia po kërkon incidente për t’i paraqitur serbët në Kosovë si komunitet i rrezikuar që po detyrohet ta shpall mëvetësinë serbe në Kosovë, kundrejt pavarësisë së Kosovës. Pra, ta interpretojë “Zajednicën” për opinionin serb dhe atë ndërkombëtar si çështje të sigurisë elementare. Mbi të gjitha, nuk duhet ta harrojmë që Mitrovica është e ndarë për shkak të Trepçës dhe pasurive të saj. Ministri i Ekonomisë në Serbi, Zhelko Sertiq, pat thënë që s’ka dilema se kush është pronar i “Trepçës”, sepse rreth 56 për qind të kapitalit është në pronësi të Fondit për Zhvillim të Serbisë dhe 22 për qind kompanive të ndryshme si “Gosha”, “Dunav osiguranje”, disa banka. Serbia pretendon, sipas Entit të Gjeodezisë të Republikës, nga dhjetori 2008, në evidencat kadastrale të tokës, 319.256 hektarë, përkatësisht 29 për qind  të Kosovës si pronë shtetërore, ndërkaq 157.666 ha përkatësisht 14 për qind  të territorit të Kosovës si pronë shoqërore. Dhe, vlera e patundshmërive shtetërore në Kosovë sipas saj është 220 milionë euro. Këtë e ka thënë zyrtarisht Qeveria e Serbisë. Tani, çfarë dialogu e normalizimi mund të ketë kështu me Serbinë?! Po i njëjti Ministër i Ekonomisë atje, ka deklaruar se nëse institucionet e Kosovës nuk heqin dorë nga marrja e “Trepçës”, Serbia do ta fillojë procesin e privatizimit të atij kombinati: “Ne i kemi tërhequr dhe spostuar  të gjitha vendimet për privatizimet e ndërmarrjeve nga Kosova në mënyrë që të vazhdohen bisedimet në Bruksel, ashtu që mbi baza të mira të flasim për çështjen e pronësisë”. Qartazi, Serbia e do Trepçën në tryezë në Bruksel.

A mendoni se ky është një skenar i Serbisë ku mund të jenë të përfshirë dhe eksponentë politik të Kosovës?

Ka mundësi. Gjendja në Mitrovicë është e rëndë. Si qytet i ndarë, Mitrovica ka varfërinë më të madhe në Kosovë, gjersa është i vetmi qytet të cilit i është zvogëluar popullsia. Sot në jug dhe veri të qytetit jetojnë gjithsej më pak se 90.000 banorë, ndërkaq në vitin 1981 Mitrovica kishte mbi 108.000 banorë. Durimi po tretet dhe këtë mund ta keqpërdor ndokush. Muri në veri të qytetit duhet të hiqet. Por si u bë që ai u lejua të ndërtohet madje nga një kompani ndërtimore shqiptare? Si bëhet që Mustafa, Thaçi e Veseli flasin edhe për datat se kur do të hiqet muri gjë që e mobilizon Serbinë dhe demobilizon shqiptarët? Kam drojën se në vend të një plani gjithëpërfshirës politik, të sigurisë dhe socio-ekonomik për bashkimin e qytetit, kjo qeveri do të ndërmerr ndonjë aksion të vetmuar policor disaorësh i cili edhe ngelet përgjysmë edhe me pasoja në njerëz ngjashëm si me 25 korrik 2011. Nuk e përjashtoj mundësinë që kjo qeveri e cila është kuislinge tash e sa vjet do të orvatet të shtiret patriotike për disa orë. Kosova po vuan prej politikanëve që historinë (e popullit) e kanë shndërruar në biografi (personale). Privatizimi nuk është i kufizuar vetëm në ekonomi.

Pati shumë reagime pas ndalimit nga autoritet franceze të ish komandantit të UÇK Ramush Haradinaj, kush e arrestoi në të vërtetë atë? Pse në këto momente?

Së pari, Serbia është shumë aktive kundër UÇK-së dhe shqiptarëve. Ajo punon pareshtur duke shtuar pak e nga pak ndikimin e saj kudo. Në arenën ndërkombëtare, përderisa ne nuk e përsërisim të vërtetën se kush është Serbia, ajo rregullisht përsërit gënjeshtrat për neve. Së dyti, Franca nuk është e pafajshme në ndarjen e qytetit të Mitrovicës në vitet 1999 dhe 2000. Këtë e konfirmon edhe vetë z. Bernard Kushner, ish-shef i UNMIK-ut pas çlirimit të Kosovës, në librin e tij “Luftëtarët e Paqes”. Ai aty shkruan: “Komandanti francez i zonës ishte kundër lëvizjeve tona që rrezikonin autonominë serbe në pjesën e epërme të qytetit të Mitrovicës”. Së treti, ekzistojnë dy Franca siç thotë një filozof francez bashkëkohor. Në njërën anë, Franca e revolucionit borgjez, në anën tjetër, Franca e restaurimit monarkist. Në njërën anë, Franca e iluminizmit progresiv, dhe, në anën tjetër, Franca e reaksionit konservativ. Në njërën anë, Franca e rezistencës fashiste, e, në anën tjetër, Franca e kolaboracionizmit me Petain dhe Vichy-n. Në njërën anë, Franca e Majit të vitit ’68, dhe, në anën tjetër, Franca ksenofobe dhe neoliberale. Dua të besoj se Ramush Haradinajn e ka arrestuar Franca e dytë, Franca e kolaboracionizmit me fashizmin, e reaksionit dhe së djathtës ultra konservatore, kurse atë do ta çlirojë Franca e parë, ajo e revolucionit republikan, ajo e iluminizmit, Franca që solidarizohet me popujt që kërkojnë me sakrificë çlirimin e vetvetes. E, për t’u kthyer tek Serbia, establishmenti politik në Serbi nuk ka gjë të përbashkët me parullën e revolucionit francez “Liri, Barazi, Vëllazëri!” dhe ka shumëçka të përbashkët me parullën e Nikolla Pashiqit: Zoti, Populli, Rusia! Partitë shqiptare nuk duhet të ndahen disa në pushtet e disa në opozitë”

Deri tani partitë shqiptare në Maqedoni, si asnjëherë tjetër, arritën të hartonin dhe miratonin një platformë të përbashkët në interes të shqiptareve. Duke e njohur realitetin atje cili është sipas jush hapi tjetër për BDI, Besa, PDSH, LR-PDSH?

Platforma është rrafshi nga i cili nisesh. Qëndrimet dhe synimet e përbashkëta duhet të pasohen me mekanizma të përbashkët. Partitë politike shqiptare në Maqedoni nuk duhet të ndahen disa në pushtet e disa në opozitë. Sepse asisoj po merren veçse me njëra-tjetrën, duke harruar edhe shovinizmin maqedonas edhe popullin shqiptar atje. Pra, le të jenë bashkë, qoftë në opozitë, qoftë në pozitë.

Si e vlerësoni rolin në politikën rajonale të Qeverisë shqiptare dhe faktorëve të tjerë politikë në Tiranë?

Është më mirë se ç’ishte, por ende larg prej asaj që duhet dhe mund të jetë. Prej politikave arsimore e kulturore e deri te ajo e jashtme, prej prodhimit e tregut bujqësor te sistemi elektroenergjetik, prej Akademive të Shkencave e të Arteve e deri te Bashkësitë Fetare, Shqipëria e Kosova duhet të unifikohen, sepse kombi ynë është më i madh edhe se të dyja këto shtete marrë së bashku.

Çka është duke ndodhur me rastin Dehari? Po me aktivistët që mbahen ende në arrest shtëpie?

Rasti Dehari, ngjashëm edhe katër aktivistët që po mbahen në arrest shtëpiak, ta kujtojnë atë çfarë thotë Princi Vilhelm i Oranit në dramën “Egmonti” të Gëtes: Vendimi u paraprin hetimeve, kurse ndëshkimi i paraprin gjykimit. Kryepolici i rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, vetëm pak orë pasi që ishte konstatuar vdekja e dhunshme e Astrit Deharit në qelinë e burgut, doli e tha që Astriti ka bërë vetëvrasje me dozë të tepruar të medikamenteve! Obduksioni tregoi që Astriti ka qenë tërësisht i shëndoshë si në aspektin fizik po ashtu edhe në atë psikik. Analizat kanë dalë negative në të gjitha llojet e medikamenteve. Kryeprokurori Sylë Hoxha ka konstatuar se bëhet fjalë për vetëvrasje ende pa përfunduar hetimet ndërsa mjekët e pavarur të Mjeksisë Ligjore që kanë marrë pjesë në obduksion kanë pohuar se te Astriti janë parë lëndime të vetëmbrojtjes. Në anën tjetër, sulmi me predhë në ndërtesën e Kuvendit nuk u quajt terrorist atëherë kur ndodhi në fillim të muajit gusht, por vetëm në fund të muajit gusht pasi që u arrestuan gjashtë aktivistët tanë. Nuk kanë asnjë fakt a provë kundër tyre. Secili ka alibi të padiskutueshme se ku kanë qenë në natën dhe orën e sulmit, por edhe gjetjet e ADN-së kanë dëshmuar se aktivistët tanë nuk kanë të bëjnë me këtë sulm. Në Kosovë nuk ka sistem të drejtësisë. Drejtësia është aksident. Padrejtësia është sistem. Drejtësia sot është thirrje e popullit dhe thirrja sot është ‘Drejtësi për Astritin!’ Do të fitojmë sepse nuk do të ndalemi.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme