Drejtori i përgjithshëm i policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se më të sigurt jemi sot, se që kemi qenë dje, pas arrestimit të 50 zyrtarëve policorë gjatë aksionit “Pika” në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit.
“Më të sigurt jemi sot, se që kemi qenë dje, sepse dje kanë qenë 50 zyrtarë policor që janë dyshuar për korrupsion ose për mitmarrje. Fakti që policia edhe institucionet e shtetit e kanë fuqinë dhe mundësinë dhe vullnetin për të luftuar korrupsionin. Duhet të ndihemi më mirë sot, se dje”, tha Mehmeti, transmeton Klankosova.tv.
Ndër të tjerash, në një konferencë të jashtëzakonshme të prokurorisë, Mehmeti tha se hetimi ka filluar para një viti.
“Nuk është ndjenjë e mirë kur korruptohet polici. Ky hetim ka filluar para një viti. Janë arrestuar zyrtarë që janë të korruptuar”.
Mehmeti poashtu theksoi se puna në pikat kufitare po vazhdon dhe çdo gjë po shkon ashtu siç duhet pas zëvendësimit me zyrtarë të tjerë policorë.
“Siguria është në nivelin maksimal, janë zëvendësuar zyrtarët policorë dhe çdo gjë po shkon ashtu siç duhet të shkojë. Të arrestuar janë zëvendësuar me zyrtarë të tjerë policorë”.