Studentët e dy fakulteteve të rëndësishme në vend, ata të Shkencave të Natyrës dhe të Shkencave Sociale kanë bojkotuar mësimin dhe do t’i bashkohen protestës që ka nisur prej disa ditësh para Kryeministrisë, në shenjë kundërshtie për rritjen e çmimeve.
Në një dalje për mediat, kryetari i Këshillit Studentor në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Dorjan Beqiri tha se studentët do të jenë çdo ditë për të mbështetur protestën dhe se do të jetë një zë i fortë i këtij tubimi.
Një përfaqësues i tyre deklaroi se studentët, në këtë kohë të vështirë me rritje çmimesh, do të kërkojnë në veçanti t’u plotësohen kërkesat që nuk iu janë plotësuar që nga viti 2018, koha e të ashtuquajturit Pakti me Studentët nga ana e qeverisë.
“Duhet të njoftojmë se sot në orën 4:30, studentët do të marshojnë nga sheshi “Skënderbej” drejt kryeministrisë. Kemi që nga viti 2018, një listë kërkesash që nuk u plotësua, ajo që u quajt Pakti me Studentët. Shtoji kësaj edhe listën e çmimeve sot, gjendjen e mjerueshme ku ndodhet Shqipëria. Zëri i studentëve do të shtojë zërin e protestës qytetare.”
Po çfarë u kërkua në 2018-ën dhe nuk u plotësua?! – Studentët vazhdojnë të paguajnë tarifa të kripura, paralele me çmimin e naftës që paguhet sot; plus burokracia universitare.
“Kemi hedhur idenë e universitetit publik falas. Qeveria duhet të kishte politika që të lehtësonte jetët e njerëzve sidomos studentëve; duhet miratuar minimumi jetik; një politikë e unifikuar për pagën e minimale dhe indeksim i pagave dhe pensioneve”.
Të gjitha këto do të shoqërohen me kërkesa të tjera studentore, si përgjysmim apo anulim tarife që do të njoftohen aty.
Karta e studentit është një skandal, studentët vazhdojë të tallen me të; nuk afron asnjë nga pesë shtyllat kryesore të mbështetjes si ushqimi, bilioteka, konviktet.
“Karta e studentit nuk shërben për asgjë, por në listën online ka dhjetëra- qindra biznese, që janë dyqane të njerëzve të famshëm, dyqane bizhuterie… kurse mensat e konviktet nuk përfitojnë asgjë”, tha përfaqësuesi i studentëve.