LEXO EDHE:
Kryeministri i vendit Dimitar Kovaçevski qëndroi sot në fabrikën e Ohisit për të vëzhguar nga afër procesin e pastrimit të Lindanit nga deponia e vogël. Megjithatë ekipet e gazetarëve nuk u lejuan që me makinat e tyre të shkojnë deri në vendngjarje, por nga porta e fabrikës e deri tek vendi i paraparë për deklarata ishin të detyruar të ecnin në këmbë. Për dallim nga gazetarët dhe kameramanët, kryeministri dhe ministri i ekologjisë u lejuan që me veturat e tyre të shkonin deri në vendngjarje, kjo shkaktoi revolt tek ekipet e gazetarëve të cilët kërkuan llogari nga Kryeministri, shkruan Alsat.
Megjithatë në fund të konferencës Kovaçevski në shenjë solidarizimi me gazetarët kërkoi që edhe ai dhe ekipi që e shoqëronin të kthehen në këmbë deri tek hyrja e fabrikës së Ohisit.
“Meqenëse kishit vërejtje se është dashur të vini në këmbë nga porta e deri këtu, unë do të kthehem tani me ju në këmbë dhe do të më jepni një nga pajisjet e juaja që ta mbajë, në shenjë të kërkim faljes. Faleminderit”, kështu u shpreh në fund të konferencës për shtyp kryeministri Dimitar Kovaçevski. /Alsat.mk