LEXO EDHE:
Gazetare: Fatlume Dervishi
As pushteti dhe as opozita nuk e marrin përsipër përgjegjësinë për ngecjen e punës së dhjetëra seancave të Kuvendit, shkruan Alsat.
Të dy palët thonë se janë të rregullt në punën e ligjvënësit dhe fajësojnë njëra-tjetrën si arsye kryesore për pengimin e punës.
“Për fat të keq, opozita, gjegjësisht VMRO-DPMNE-ja, siç kishim mundësi ta shohim edhe dje nuk qëndruan që të votohet rendi i ditës sepse atyre aspak nuk u bëhet vonë për qytetarët dhe për pensionistët ashtu siç thonë para opinionit. Absolutisht kërkojmë zgjidhje të shpejtë kështu që për një kohë të shkurtër do të thirren të gjitha seancat dhe do t’i miratojmë ligjet që janë në rend dite”, tha Daniella Markoska, deputete e LSDM-së.
“Deputetët e VMRO-DPMNE-së, deputetët e opozitës në Kuvend çdo ditë janë në vendet e tyre të punës dhe e bëjnë punën e tyre ashtu siç duhet. Por, ajo të cilën mundohen ta imponojnë nga ana e pushtetit, dhe që ndodh për shkak të paaftësisë së tyre, për shkak të mosmarrëveshjeve të tyre brenda koalicionit dhe pazareve brenda koalicionit që gjithmonë kanë të bëjnë me interesat e tyre biznesore, ata përpiqen të thonë se opozita është ajo që pengon”, tha Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE.
Një ditë më parë Kuvendi nuk arriti të miratojë as rendin e ditës në të cilën ndodhej ligji për rritjen e pensioneve, për shkak të mungesës së kuorumit. Pesë deputetë të shumicës nuk ishin në sallë kurse opozita në shenjë revolta e lëshoi seancën. Në këtë mënyrë nuk u zgjodhën as deputetët që do të plotësojnë komisionin për zgjedhje dhe emërime, i cili komision duhet të plotësojë vendet boshe në komisionet tjera të Kuvendit. Deputetët, si nga pushteti ashtu edhe nga opozita, të cilët kanë marrë përsipër detyrën e kryetarëve të komisioneve, refuzojnë të thirrin seanca dhe të procedojnë më tej ligjet që kanë ngecur. Kjo rezulton me 21 seanca plenare të papërfunduara nga gjithsej 67. Disa prej tyre kanë mbetur të tilla që në vitin 2020. /Alsat.mk