Presidenti amerikan, Joe Biden tha të mërkurën se beson që udhëheqësi rus, Vladimir Putin “është një kriminel lufte” shkaku i sulmeve në Ukrainë.
Duket se është hera e parë që i pari i shtetit amerikan e ka quajtur publikisht liderin rus me këtë frazë.
Komenti i Bidenit erdhi disa orë pasi senatori demokrat i Arizonës, Mark Kelly tha se presidenti “absolutisht” duhet ta quante Putinin një kriminel lufte.
Kelly përmendi sulmet e Rusisë ndaj “spitaleve, reparteve të maternitetit, ndërtesave të banimit” në Ukrainë dhe “të shtënat e drejtpërdrejta të ushtrisë ndaj civilëve”.
Në një bashkëbisedim me një gazetar, Biden u pyet “President, pas gjithçkaje që kemi parë, a je gati ta quash Putinin kriminel lufte”. Biden fillimisht u përgjigj “Jo”.
Gazetari më pas pyeti nëse Biden do të “shkojë në Poloni”, ku shumë refugjatë ukrainas kanë ikur nga pushtimi rus.
Biden më pas kthehet dhe e pyet gazetarin, “A më pyetët nëse duhet të telefonoja? Oh, unë mendoj se ai është një kriminel lufte”.
Ndryshe, paraprakisht presidenti amerikan kishte bërë të ditur se ka ndarë pajisje ushtarake në vlerë prej 800 milionë dollarëve për ushtrinë ukrainase.