Kryeministri Albin Kurti zhvilloi sot një takim virtual me kongresistët nga Grupi për Çështje shqiptare në Kongresin Amerikan, Ritchie Torres, Darrell Issa dhe Robert Aderholt, të cilët i falënderoi për avokimin e tyre dhe vlerësoi deklaratat publike në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe Bashkim Evropian.
“Merita të mëdha për suksesin e Kosovës kanë mbështetësit e fortë në Kongresin Amerikan”, tha Kurti, duke shtuar se Kosova ka fatin e mirë që tani ka edhe kongresistët nga Grupi i Çështjeve shqiptare si aleatë në Kongres.
Ai theksoi se ka një sërë fushash në të cilat mund të thellohet e zgjerohet bashkëpunimi në interes të Kosovës, duke veçuar avokimin për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO, si dhe për rritjen e investimeve amerikane në Kosovë.
Kurti në një postim në Twitter ka thënë se “është mirë të dëgjosh mbështetjen me gjithë zemër për vendin tonë nga Përfaqësuesi i Kongresit”.
“I falënderova për avokimin e tyre të fortë dhe diskutuam bashkëpunimin e mëtejshëm për anëtarësimin në NATO, BE dhe Këshillin e Evropës; dhe sjelljen e investitorëve amerikanë në Kosovë”, k ka shkruar Kurti.
Kongresistët amerikanë ritheksuan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë aleat më të madh se Kosova në Evropë, dhe është koha që Kosova të pranohet në NATO.
“Si bashkëkryetar Grupi për Çështje shqiptare në Kongresin Amerikan, pata nderin të flas me Kryeministrin e Kosovës. Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, nuk ka qenë kurrë më urgjente që SHBA të fuqizojë aleatët e saj.
Kosova duhet dhe duhet të bëhet anëtare e NATO-s, por edhe e BE-së”, ka shkruar Torres në një postim në Twitter, transmeton Telegrafi.
Ata vlerësuan pozicionimin e Kosovës dhe angazhimin e përbashkët në avancimin e parimeve demokratike. Po ashtu, theksuan domosdoshmërinë e ripërtëritjes së angazhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për t’u siguruar që Kosova, shtet mik e aleat i SHBA-së do të marrë trajtim të drejtë.
Autoritetet drejtuese të Kosovës kanë bërë thirrje që Kosova të pranohet në NATO, duke e cilësuar këtë si një domosdoshmëri, sidomos pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Kosova 10 vjet më parë aplikoi për t’u bërë pjesë e Partneritetit për Paqe, por kjo nuk u mundësua për shkak se Forca e Sigurisë së Kosovës kishte statusin e organizatës për ndërhyrje në emergjenca dhe katastrofa natyrore dhe jo atë të ushtrisë.
Në vitin 2016, Qeveria e Kosovës bëri përpjekje të përsëritur për të forcuar bashkëpunimin me NATO-n, por ishte Spanja, një nga vendet e BE-së që e kundërshtoi atë.
Në vitin 2017, megjithatë, NATO pranoi ta forcojë bashkëpunimin e saj me FSK, por vetëm midis forcës paqeruajtëse të KFOR-it dhe zyrës ndërlidhëse dhe ekipit këshillues të NATO-s në Prishtinë.
Në vitin 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi ligjin, i cili i shton kompetencat Forcës së Sigurisë së Kosovës për ta shndërruar në ushtri brenda 10 vjetësh, por pa ia ndërruar emrin.
Çdo shtet anëtar i NATO-s e ka të drejtën e vetos brenda organizatës dhe për shkak se katër vende të saj (Greqia, Spanja, Sllovakia, Rumania) nuk e njohin Kosovën, kjo tash për tash e bën të pamundur që Kosovës t’i jepet një plan aksional për anëtarësim, që përcakton hapat e nevojshëm që një vend të bëhet përfundimisht anëtar i plotë i NATO-s.
Ndryshe, Aleanca Veri-Atlantike ka rreth 3, 700 trupa në kuadër të KFOR-it në Kosovë.