LEXO EDHE:
Gazetare: Andrea Çobanova
Pas kontrolleve të përfunduara në rrjetin e supermarketeve KAM, DAP-i ka filluar kontrollin në 90 marketet Kipper. Drejtuesit e marketit thonë se bëhet kontroll i rregullt mbi stoqet që kanë në magazina dhe dyqane në krahasim me librezat e kontabilitetit, por kontrollohet edhe përllogaritja e taksave për produktet.
“Kontrolli është për ta përcaktuar gjendjen aktuale të stoqeve në Kipper Marketet. Kontrolli ka nisur dje dhe vijon ende. Gjendja faktike ende nuk është përcaktuar dhe për këtë do të shohim pas përfundimit të kontrollit. Drejtoria e të Ardhurave Publike i kontrollon të gjitha hapësirat afariste të Kipper-it”, deklaroi Kujtim Dervishi – inspektor kryesor i DAP-it.
Udhëheqësia e marketit thotë se po bëhet kontroll i rregullt, pas çka pritet të hapen të gjitha marketet.
“Ju njoftojmë se në marketet ‘Kipper’ ka inspektim të rregullt nga inspektorati. Me qëllim krijimin e kushteve të punës për nëpunësit kompetentë të lartpërmendur, dyqanet në të cilat vijon kontrolli do të jenë të mbyllura deri në përfundimin e procesit të evidentimit”, njoftuan nga udhëheqësia e KIPER-it.
Njëkohësisht, nga DAP informuan se kontrolle bëhen edhe në dyqanet më të vogla, ndërsa do të vazhdojnë edhe në rrjetet tjera të mëdha tregtare./Alsat.mk