LEXO EDHE:
Gazetar: Igor Stefanovski
Shuplakë e drejtpërdrejtë për gjykatësit dhe prokurorët, nga ambasadorja e SHBA-së, Bërns. Ajo u tha direkt në fytyrë se nuk po e arrijnë efektin, sepse besimi i qytetarëve në gjyqësor është vetëm 8%. Ambasadorja tha se gjyqësori duhet të jetë efikas, i pavarur dhe të zbatojë ligjin, për të rikthyer besimin e qytetarëve tek ai.
“Nuk është sekret, që publiku nuk ka besim te gjyqësori. Në fakt, një hulumtim i Eurothink zbuloi se vetëm 8% e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut i besojnë gjyqësorit dhe prokurorisë. Duket se ka shumë punë për të bërë”, deklaroi Kejt Mery Bërns, Ambasadore e Shteteve të Bashkuara.
Gjyqësori pretendon se di si ta rikthejë besimin. Me pavarësi, paanshmëri dhe integritet gjyqësor. Por, ata u ankuan se nuk kishin staf dhe para të mjaftueshme.
“Kemi mungesë të gjykatësve. Nga 639 gjykatës, ja sot më japin analizën e fundit se aktualisht kemi 473 gjykatës. Me ndryshimet në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës mund të ndodhë që deri në fund të vitit të dalin në pension gjashtëdhjetë gjykatës”, tha Pavlina Cërvenkovska, Kryetare e Këshillit Gjyqësor.
“Por, për ne si Asociacion është shumë i rëndësishëm gjendja materiale e gjykatësve, besimi tek gjyqësori dhe sigurisht edhe aktivitetet që zhvillohen në atë drejtim, me qëllim realizim i gjykatësve, përfshirë edhe buxhetin e përgjithshëm sa i përket gjyqësorit”, deklaroi Xhemali Saiti, Kryetar i Shoqatës së Gjyqtarëve.
Këto pikëpamje u prezantuan në një konferencë gjyqësore ndërkombëtare. Nga Ministria e Drejtësisë nuk mori pjesë ministri Nikolla Tupançevski, por zëvendësi Agim Nuhiu. Ai tha se reforma në drejtësi është prioritet i qeverisë./Alsat.mk