Dhuna ekonomike ndaj grave në Ballkan është e përhapur, por shpesh kalon pa u vënë re dhe pothuajse gjithmonë e pandëshkuar. Pasojat janë të thella.
Adina shpjegon se paratë që i duhen i merr nga i shoqi.
“Dhe gjithmonë më duhet të shpjegoj pse më duhet diçka kur e blej… Ndonjëherë, me kuptimin e plotë të fjalës, i lutem të më japë paratë”, tha ajo.
Adina, e cila kërkoi të mos identifikohej me emrin e saj të vërtetë, ishte në shkollë në Bosnje dhe Hercegovinë kur mbeti shtatzënë në vitin 2014. Ajo e la shkollën dhe u martua. Tani, ajo thotë se nuk është as e sigurt se çfarë pune do mund të bënte. Atë pak punë që u përpoq të bënte nga shtëpia, në internet, e kundërshtoi i shoqi, duke e akuzuar se kalonte shumë kohë në internet dhe komunikonte me “të huaj”.
Ndërkohë, bashkëshorti i Adinës ka në dorë frerët dhe madje i mban shumë fort.
“Dhe shpesh, kur zihemi, ai nuk më jep asgjë për një javë dhe unë s’kam si t’i blej ushqimet dhe produktet higjienike bazë. Ndonjëherë më duhet të marr hua nga fqinja ime për të blerë peceta higjienike.”
Po familja e saj? “Ata e dinë. Sigurisht që e dinë. Ata thonë ‘Hesht dhe duroje, është burri jot.’ Ata thonë se isha unë që e zgjodha; të paktën ai nuk më rreh… Nëna ime ka vuajtur të njëjtën gjë.”
Mund të tingëllojë ekstreme, por rrëfimi i Adinës nuk është aspak i pazakontë në Ballkan, ku dhuna ekonomike shumë shpesh kalon pa u vënë re në shoqëritë kryesisht patriarkale, ku gratë shpenzojnë dy herë më shumë kohë duke bërë punë të papaguar sesa burrat dhe përbëjnë një pjesë disproporcionale të madhe të popullsisë së papunë.
Në një anketim me 680 gra në Serbi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë, 101 thanë se debatonin me partnerët e tyre për para. Sipas përgjigjeve të tyre, shkaktarët kryesorë janë mungesa e parave, akuzat për shpenzime të tepërta të ngritura nga partneri mashkull dhe mungesa e vlerësimit për punët e shtëpisë që bën partnerja femër.
Më shumë se 10 për qind e grave raportuan se shpenzonin më pak se 20 euro në muaj për nevojat e tyre personale. Gjysma e këtij numri janë të punësuara. Më shumë se 30 për qind thanë se shpenzojnë më pak se 50 euro në muaj për veten e tyre.
Megjithatë, rreth 56 për qind thanë se nuk ishin në dijeni se dhuna ekonomike dënohet me ligj në të dy vendet, megjithëse rastet e regjistruara janë pothuajse inekzistente.
“Problemi është se shumë shpesh nuk ka ndalime dhe kërcënime të qarta. Të paktën në fillim të një marrëdhënieje, ajo mund të mbështillet me një ide dashurie dhe kujdesi, e cila më vonë mund të tregojë fytyrën e saj të vërtetë kur një grua nuk mund të bëjë më asgjë pa lejen e partnerit të saj”, tha sociologia Jelena Riznic, anëtare e rrjetit “Solidariteti Femër” në Serbi.
“Fillon me gjëra të zakonshme si ato që ajo do të blejë për në shtëpi, për veten e kështu me radhë, dhe përfundon në situata ku ajo nuk mund të largohet nga marrëdhënia sepse teknikisht nuk ka asgjë dhe nuk mund të jetojë e pavarur sepse ajo është e varur financiarisht prej tij.”
Viktimat bëhen të besojnë se janë “të paafta për punë”
Dhuna ekonomike manifestohet në tre mënyra, thotë Medina Mujic nga fondacioni feminist-aktivist “CURE” në Bosnje.
Së pari, një grua është e varur financiarisht nga burri i saj, “që do të thotë se ajo nuk ka të ardhura të veta dhe varet nga partneri për çdo nevojë apo dëshirë materiale”.
Së dyti, një grua mund të punësohet dhe të kontribuojë në buxhetin e familjes, por me një normë të caktuar nga partneri mashkull, në mënyrë që “gruaja të mos ketë plotësisht kontrollin e parave të saj”.
Dhe së treti, kur partneri mashkull “saboton” punën e gruas, “duke ardhur gjatë gjithë kohës në vendin e saj të punës, duke e shqetësuar gruan me telefonata, por shpesh, në këto situata, duke shqetësuar bashkëpunëtorët dhe kolegët me kërcënime, duke shkaktuar telashe.”
Një sjellje e tillë “është shumë e pranishme” në rajon, tha Jasmina Buljic, psikologe në Fondacionin e Demokracisë Lokale, e cila drejton një strehë në Sarajevë.
Kjo “e çon atë person në një pozicion të varur,” tha Buljic për BIRN, “në të cilin ajo beson se është e paaftë për punë, duke besuar atë që dhunuesi i saj e bën atë të besojë.
Sipas të dhënave të fundit zyrtare, gratë përbëjnë më shumë se 55 për qind të të papunëve në Serbi; në Bosnje, ato përbëjnë rreth 58 për qind të të papunëve që kërkojnë punë.
Gratë shpenzojnë dy herë më shumë kohë duke bërë punë të papaguar sesa burrat, punë që arrin në afërsisht 15 për qind të prodhimit ekonomik kombëtar të Serbisë, ose 6.37 miliardë euro. Për shumë nga këto gra, punët e shtëpisë janë turni i dytë.
“Ai e bën këtë që të jetë superior”
Marija, e cila përsëri kërkoi të mos identifikohej me emrin e saj të vërtetë, është një mësuese anglishteje online. Partneri i saj është avokat. Ajo nuk e di se sa fiton ai, ndërsa ai ushtron pothuajse kontroll total mbi të ardhurat e saj.
“Kjo filloi spontanisht”, tha ajo. “Sinqerisht, herën e parë më bezdisi kur më mori gjysmën e rrogës dhe kur thashë se nuk do të kem mjaftueshëm derisa të marr rrogën muajin tjetër, ai më tha ‘përpiqu, do t’ia dalësh. ‘ Atëherë kjo më shqetësoi vërtet. Dhe më shqetëson që nuk jemi të barabartë.”
“Sapo mora çekun tim të parë, ai tha se kishim disa borxhe për të larë.”
Marija, e cila ishte një nga të anketuarit në sondazhin e BIRN, e përshkroi sjelljen e partnerit të saj si një formë dhune psikologjike.
“Kam ndjesinë se ai po e bën për të qenë superior… Se po bën shpenzime vetëm që të mos kem unë para. Mendoj se ai nuk është i lumtur për mua sepse ia dola dhe sepse fitoj më shumë para se ai… Mendoj se ai ka frikë dhe se kjo është një formë manipulimi.”
Nada Padejski, drejtoreshë e një strehe për gratë në Sremska Kamenica, Serbinë veriore, tha se dhuna me bazë gjinore, duke përfshirë dhunën ekonomike, shpesh i ka rrënjët në dëshirën e dhunuesit për të “izoluar viktimën dhe për të pasur dominim, pushtet të plotë dhe kontroll mbi të, sjelljen dhe jetën e saj”.
Megjithatë, shpesh dhuna ekonomike nuk njihet.
“Bazuar në përvojën 15 vjeçare, nëse do të pyesnim viktimat dhe autorët, besoj se viktimat nuk do ta kuptonin se ajo që po ndodh me to është dhunë ekonomike dhe definitivisht nuk do ta quajnë kështu, por ato e kuptojnë se të drejtat janë të rrezikuara”, tha Padejski. “Një grua e di gjithmonë kur dikush është i dhunshëm ndaj saj… Autori patjetër do ta mohonte që ai është i dhunshëm. Ai do të minimizonte se çfarë është dhuna ekonomike.”
Normat e trashëguara shoqërore dhe ndikimi psikologjik
Normat patriarkale në Ballkan janë të rrënjosura thellë dhe shpesh propagandohen nga deklaratat e bëra dhe politikat e ndjekura nga liderët politikë.
“Kur gratë u bënë të pavarura financiarisht dhe filluan të fitonin paratë e tyre dhe të ishin aktive në jetën publike, pati një çekuilibër, ku e gjithë shoqëria humbi një model sjelljeje”, tha Mujic.
“Deri atëherë, ata e dinin. Këto ishin normat e sjelljes që trashëgojmë nga një brez në tjetrin, nga prindërit, stërgjyshërit, gjyshet…”
“Ne jetojmë sipas normave patriarkale. Jetojmë në një shoqëri që është në një shoqëri të pabarabartë, në një shoqëri burrash.”
Kjo bën që shumë gra të mbeten në marrëdhënie abuzive jo vetëm për arsye financiare, por sepse e shohin atë si rolin e tyre në shoqëri.
“Ato e pranojnë rolin e tyre në shoqëri dhe marrëdhënie, duke pasur parasysh se rolet e tyre si gra dhe nëna kërkojnë një sakrificë të tillë”, tha Mujic për BIRN.
“Aspekti kulturor në të cilin jetojmë ka një ndikim të madh në qëndrimin e tyre në një marrëdhënie abuzive, sepse është nën kujdesin patriarkal ku ne mësojmë të vuajmë dhe të tolerojmë dhunën, të mos flasim për të.”
Pasojat mund të jenë dramatike, tha Buljic.
“Gratë humbasin besimin e tyre, ndihen të paafta për të punuar. Ato nuk i vlerësojnë gjërat që bëjnë në shtëpinë e tyre – rritja e fëmijëve, kujdesi për shtëpinë – të cilat janë të mëdha. Ato nuk e vlerësojnë këtë sepse dikush u thotë vazhdimisht se ato janë të paafta.”
Riznic u pajtua me këtë, duke thënë se dhuna ekonomike mund të dëmtojë shëndetin mendor të një gruaje.
“Ideja për të kërkuar leje për të blerë peceta higjienike ose medikamente që u nevojiten – të gjitha këto janë forma të dhunës ekonomike”, tha Riznic. “Dhunë ekonomike është edhe kur një grua nuk ka mundësi ta kontrollojë financat e saj ose financat e përbashkëta ose kur nuk mund të marrë pjesë në ndarjen e financave. Kjo është poshtëruese dhe ndikon në shëndetin mendor të një personi.”
Padejski tha për BIRN: “Në planin afatgjatë, ajo fillon të besojë se nuk mund të fitojë para, se askush nuk do ta punësojë, se është e paaftë për të punuar dhe se varet tërësisht nga partneri i dhunshëm. Ky është qëllimi i dhunuesit, të ketë pushtet të plotë mbi viktimën dhe të menaxhojë jetën e saj. Kjo çon në një ndjenjë pafuqie, mungesë perspektive dhe në zhvillimin e simptomave të caktuara të depresionit, ankthit dhe vetëbesimit të ulët.”
Dhuna ekonomike e përhapur, kallëzimet “sporadike”
Dhuna ekonomike njihet me ligj si në Bosnjë ashtu edhe në Serbi.
Megjithatë, në Novi Sad, qyteti i dytë i Serbisë, një zëdhënëse e Gjykatës Themelore tha se gjykata kishte regjistruar vetëm dy raste të drejtpërdrejta në lidhje me dhunën ekonomike që nga miratimi i Ligjit kundër dhunës në familje në Serbi në vitin 2016.
Prokurorët e hoqën ratin e parë, ndërsa i dyti është në vazhdim. BIRN kontaktoi edhe Ministrinë e Drejtësisë, por nuk mori përgjigje.
“Kjo lloj dhune shumë rrallë shfaqet si një rast i pavarur i dhunës në familje, por është i pranishëm së bashku me forma të tjera të abuzimit”, tha zëdhënësja e gjykatës së Novi Sadit, Svjetlana Radovanovic. “Më shpesh, ajo ndodh krahas dhunës fizike dhe psikologjike.”
Problemi qëndron në gjetjen e provave, tha Radovanovic për BIRN.
“Sistemi ynë i drejtësisë mund të mos ketë përvojë me këto lloj rastesh, kështu që nuk mund të them nëse kishim disa lloje provash që tregojnë se si të njohim formën ekonomike të dhunës”, tha ajo.
Në qytetin boshnjak të Tuzlës, Nedeljko Jurkic i qendrës lokale të shërbimeve sociale tha se, ndërsa dhuna ekonomike është e përhapur, kallëzimet formale janë “sporadike”.
“Në vit, ka ndoshta rreth dhjetë kallëzime, ndoshta edhe më pak”, tha ai për BIRN.
Arben Murtezic, drejtor i Qendrës për Edukimin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Bosnje, një organ publik që punon në trajnimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, tha se ligji duhej të shkonte më tej në përcaktimin e dhunës ekonomike.
“Me sa di unë, ne nuk kemi asnjë vendim në lidhje me abuzimin ekonomik”, tha Murtezic për BIRN. “Kjo lloj dhune shfaqet, bazuar në njohuritë e mia, së bashku me forma të tjera të dhunës… Edhe në ato vendime, kam parë, nuk përmendet konkretisht abuzimi ekonomik.”
“Është shumë e vështirë të izolosh abuzimin ekonomik. Nuk jam i sigurt se si do të dukej saktësisht një rast hipotetik i dhunës ekonomike, ku nuk ka lloje të tjera… Mendoj se është e rëndësishme të dimë më shumë për të. Pikërisht sepse nuk dimë, duhet të mësojmë.”
Riznic tha se ishte jetike që fenomeni të njihet më mirë në mënyrë që autoritetet më pas të mund të ndihmojnë një viktimë “t’ia dalë mbanë vetë”.
“Sigurisht që duhet të raportoni dhunën, por çfarë vjen më pas? Kjo është pyetja me të cilën gratë përballen kur largohen përfundimisht sepse nuk kanë ku të shkojnë”, tha ajo. “Shumë shpesh, ato nu mund të jetojnë normalisht dhe me dinjitet me pagën që kanë.”
Padejski sugjeroi përdorimin e një apartamenti me qira, të subvencionuar, që një viktimë do të mund ta përdorte pasi të largohej nga një strehë. Pastaj janë çështjet e të drejtave pronësore dhe kompensimi.
“Një grua e cila e ka kaluar tërë jetën e saj duke punuar, duke ndërtuar një shtëpi apo apartament dhe jetën familjare, pas përvojës së dhunës, duhet të mbështetet në fillimin e procedurës pronësore dhe marrjen e pronës që i takon ligjërisht”, tha Padejski.
“Viktimat e dhunës në familje rrallë e bëjnë këtë. Ato zakonisht ia mbathin dhe nisin vetëm procedurat që duhet të bëjnë.”
Qeveritë dërgojnë mesazhe “të rrezikshme”
Ekspertët ankohen për vëmendjen, ose mungesën e saj, që i kushtojnë politikanët çështjes së dhunës ekonomike në një rajon ku qeveritë janë shumë më të preokupuara për të ndryshuar një rënie të numrit të lindjeve.
Ndërsa i drejtohej parlamentit në qershor 2021, presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha: “Nuk e di sa duhet të paguajmë që dikush të lindë një fëmijë. Nëse është e nevojshme, ne do ta bëjmë këtë.”
Vuçiç madje ka premtuar stimuj për studentet që mbeten shtatzënë për ta mbajtur fëmijën duke hequr afatet e zakonshme të provimeve që studentët duhet të përmbushin për t’u diplomuar.
Riznic tha se mesazhe të tilla janë “të rrezikshme”.
“Ata po krijojnë terren pjellor që gratë të varen përsëri nga burrat”, tha ajo. “Kur janë të varura financiarisht, kjo hap hapësirë për shumë keqpërdorime në marrëdhënie dhe në nivel shtetëror, në kuptimin e të qenit aktiv në tregun e punës.”
“Ku mund të punojnë gratë nëse ndërpresin arsimimin e tyre për shkak të fëmijëve? Ky është mesazhi zyrtar, një model ideal i sjelljes. Ai prezantohet si diçka e mrekullueshme për gratë, por në thelb është e rrezikshme.”
“Gratë nuk janë inkubatorë të lëvizshëm që lindin fëmijë çdo nëntë muaj. Kjo është diçka që duhet të ndalet këtu dhe tani, sepse është një mjet për të riprodhuar një sistem të tërë shfrytëzues në të cilin fëmijët bëhen gjenerata të reja të punës së lirë, gratë po përjashtohen nga tregu i punës dhe i gjithë sistemi i keqfavorizuar po riprodhohet.”
Ky sistem tashmë ka dështuar tha Ivana (jo emri i saj i vërtetë), një tjetër e intervistuar në sondazhin e BIRN.
Pas 17 vitesh në një marrëdhënie abuzive, Ivana la burrin e saj pasi ai e goditi 11 herë me thikë në vitin 2016. Ajo kishte vuajtur, ndër të tjera, edhe varësinë financiare, tha ajo për BIRN.
“Kjo është arsyeja pse e durova për vite me radhë sepse nuk kisha ku të shkoja… nuk kisha asnjë mbështetje, prandaj e durova, derisa…”
Si rezultat i sulmit, dora e djathtë e Ivanës është lënduar rëndë dhe ajo ka mundësi të kufizuara për punë. Ajo tani jeton në një apartament me qira me vajzën e saj të rritur, por pretendoi se në lagje kishte tre “apartamente sociale” në pronësi të shtetit që rrinin bosh.
“Nuk e di si po jetoj tani”, tha Ivana për BIRN. “Kohët e fundit kam marrë 8000 dinarë (69 euro) ndihmë sociale. Me këtë ne duhet të paguajmë apartamentin, veshjet, ushqimin, taksat dhe gjithçka tjetër.”
Ajo nuk mori asgjë nga ish-partneri i saj pasi nuk kishte paraqitur kërkesë për ndarjen e pasurisë brenda një viti pas divorcit, duke thënë se askush nuk i kishte thënë për afatin.
Ivana tha se kishte pak besim te shërbimet sociale, jo pasi ish-partnerit të saj iu dha kujdestaria e djalit të tyre për kohëzgjatjen e procedurave të kujdestarisë për shkak të financave të saj. Procedurat filluan në vitin 2020.
“Nëse nuk ke si t’i mbash fëmijët, ata mund të t’i marrin.”/ BIRN