Autorët e vrasjes së 55-vjeçarit Nazmi Bandullas, dyshohet se është kryer nga vrasës me pagesë.
Hetuesit kanë dalë në këtë përfundim nisur nga mënyra se si është ekzekutuar Bandulla. Burime nga grupi hetimor, bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes janë gjetur shumë pak prova që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorëve. Pas ngjarjes, policia e Shkodrës ka shoqëruar mbi 20 persona të cilët janë marrë në pyetje lidhur me ngjarjen.
Sipas burimeve dëshmitë e administruara deri më tani nuk kanë dhënë asnjë ndihmesë për identifikimin e autorëve. 5 nga personat e pyetur janë dëshmitarë okular. Përpara grupit hetimor ata janë shprehur se nuk kanë mundur të identifikojnë ekzekutuesit, përveç faktit që autorët udhëtonin me një automjet tip “BENZ”, me xhama të zinj. Gjithashtu hetuesit kanë pyetur edhe familjarë të viktimës, por edhe këta nuk kanë dhënë asnjë ndihmesë për hetimin. Pista kryesore ku janë përqendruar hetimet janë larja e hesapeve, dhe përfshirja e viktimës në grupet kriminale janë, që po hetohen nga grupi hetimor.
Ndërkohë burime pohojnë se drejtoria vendore e Policisë Shkodër i ka kërkuar informacion dhe po bashkëpunon me policinë e Elbasanit për të mbledhur të dhëna, nëse Bandulla ka qenë i përfshirë në aktivitet kriminal apo jo në qytetin e Elbasanit, pasi në këtë qytet ai po kalonte edhe pjesën më të madhe të kohës. Viktima sapo kishte marrë kafen e mëngjesit për ta konsumuar, kur u qellua me breshëri kallashnikovi. Ai mori 6 plumba, që i shkaktuan edhe vdekjen e menjëhershme. Ngjarja ndodhi në lagjen “Partizani” të Shkodrës, mëngjesin e së martës./Gsh