Një 29-vjeçar është arrestuar në aeroportin Zaventem të Belgjikës pasi dyshohet se ndihmoi në arratisjen e jashtëzakonshme të mafiozit italian dhe bashkatdhetarit të tij nga një prej burgjeve të Italisë.
Historia nis në 31 dhjetor të vitit të kaluar, një i burgosur në burgun e Vercellit, në Italinë veriore, feston natën e Vitit të Ri në qeli. Në të njëjtën qeli ndodhet 28-vjeçari shqiptar Kristian Mëhilli i burgosur për grabitje me armë.
Mafiozi italian dhe 28 vjeçari shqiptar lidhin çarçafët dhe zbresin nga kati i katërt i burgut. Por gjërat nuk shkojnë sipas planit: çarçafët nuk mbajnë, dhe mafiozi italian bie dhe plagoset rëndë. Për të, arratisja përfundon me kaq.
Ndërkaq, shqiptari Mëhilli arrin të largohet dhe ngjitet në një mur aty pranë. Ai lidhet me litarin e hedhur nga një tjetër shqiptar që priste nga ana e jashtme e burgut, shkruajnë mediat belge.
Më 10 shkurt shqiptari i arratisur, Kristian Mëhilli vendoset në pranga. Ai kapet në Holandë. Ndërsa në shtëpinë e tij në Itali arrestohen edhe tre bashkëpunëtorët; njëri prej tyre ishte vëllai i të arratisurit, shenjat e gishtave të të cilit u gjetën në makinë. Atij iu kap një hartë e burgut, e cila përmbante udhëzimet e hollësishme për të gjithë bashkëpunëtorët.
Së fundmi është arrestuar edhe një bashkëpunëtor i katërt: një 29-vjeçar shqiptar me banim në Itali dhe tashmë i njohur në polici për vjedhje. Ai kishte blerë makinën me të cilën do të arratiseshin dhe kishte thyer portat e jashtme të burgut.
29 vjeçari shqiptar u kap në aeroportin Zaventem teksa po tentonte largohej për në Shqipëri. Ai pritet të ekstradohet për në Itali për krimin e kryer atje në bashkëpunim me personat e tjerë.