Deputeti dhe ish-Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, i ka propozuar Kuvendit të Shqipërisë disa ndryshime në ligjin “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”. Këto ndryshime kanë për qëllim heqjen e pengesës së anëtarëve të Komisionit të Konkurrencës për të raportuar në Kuvendin e Shqipërisë, lidhur me të dhënat e bizneseve që klasifikohen si konfidenciale apo sekret tregtar.
Aktualisht, ligji “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, në nenin 30, përcakton se “anëtarët e Komisionit dhe të gjithë punonjësit e Sekretariatit ose personat e tjerë të autorizuar nga Komisioni për zbatimin e këtij ligji ruajnë sekretin profesional dhe nuk u japin të dhëna konfidenciale, të siguruara gjatë kryerjes së detyrave të tyre, asnjë personi ose institucioni, me përjashtim të rasteve kur duhet të dëshmojnë përpara gjykatës. Kjo vlen dhe pas mbarimit të detyrës.”
Kjo dispozitë e ligjit nuk e lejon Autoritetin e Konkurrencës që të dhënat e mësipërme t’i ndajë qoftë edhe me Kuvendin e Shqipërisë. Edhe në publikimin e vendimeve të Autoritetit të Konkurrencës, ato të dhëna që klasifikohen si konfidenciale paraqiten të fshira.
Gjatë raportimeve të fundit të Autoritetit të Konkurrencës në Kuvend disa deputetë kanë shprehur rezerva për këtë parashikim ligjor, sepse, sipas tyre, mosdhënia e informacionit të klasifikuar si konfidencial nuk lejon një vlerësim të plotë dhe të qartë të Kuvendit lidhur me përmbushjen e misionit ligjor të Autoritetit të Konkurrencës.
Deputeti Leskaj propozon se anëtarët e Kuvendit duhet të kenë akses të ngjashëm me atë të organeve gjyqësore, në të dhënat konfidenciale dhe të sekretit tregtar, në rastet e hetimit të thelluar të ndërmarrë nga një anëtar, një grup anëtarësh të Kuvendit, apo nga komisione të tij. Ai e argumenton këtë propozim me qëllimin e realizimit të plotë të misionit monitorues dhe vlerësues te Kuvendit në kontrollin e performancës së institucioneve si Autoriteti i Konkurrences, organet tatimore dhe doganore.
Rritja e ndjeshme e çmimeve në tregje të veçantë gjatë dy viteve të fundit, ka shtuar vëmendjen e opinionit publik, por edhe të deputetëve të Kuvendit për rolin e Autoritetit të Konkurrencës, sidomos për ato tregje ku konkurrenca është e kufizuar. Në raportimin e kësaj jave të Autoritetit të Konkurrencës në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë, deputeti Erion Braçe u shpreh se, edhe pas ngritjes së Bordit të Posaçme të Transparencës, në tregun e hidrokarbureve mungon transparenca e plotë e çmimeve, kostove dhe marzheve që aplikohen në të gjitha nivelet e tregtimit. (monitor)