LEXO EDHE:
Gazetar: Mefail Ismaili
Vazhdon greva e përgjithshme në shkollat fillore, të mesme dhe në çerdhe. Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës nuk pranoi ofertën e Qeverisë për rritje të pagave për 10 për qind. Kreu i SASHK-ut Jakim Nedellkov tha se 95 për qind e sindikatave rajonale refuzuan 10 përqindëshin dhe vendosën të mos fillojnë mësimin pa plotësimin e kërkesës për rritje për 18.4 për qind, shkruan Alsat.
“Rritja e pagave prej 10% në ruajtjen e fëmijëve, në arsim fillor dhe të mesëm aspak nuk korrespondon me rritjen e pagës minimale këtë vit dhe nuk është stimulim përkatës për kthimin e dinjitetit të profesionit… Këshilli i SASHK-ut është i gatshëm të ketë negociata intensive dhe racionale me Qeverinë, në të cilat do të harmonizoheshin çështjet kontestuese dhe do të nënshkruhej marrëveshje, se si në mënyrë më të shpejtë të mundshme të vazhdojë procesi edukativo arsimor”, tha Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.
Nedellkov tha se me një qasjen e këtillë të Qeverisë, nuk mund të pritet zgjidhje së shpejti.
“Anëtarët e SASHK-ut reaguan në qasjen joserioze të autoriteteve të cilët thuajse 2 muaj negociojnë me përfaqësues të SASHK-ut, ndërsa realisht nuk japin asnjë propozim konkret për kërkesat e dorëzuara nga ana e SASHK-ut. Anëtarët e SASHK-ut konstatojnë se qasja e këtillë e Qeverisë nuk çon në drejtim të zgjidhjes së shpejtë të problemit dhe ndërprerjes së grevës”, tha Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut
Kreu i SASHK-ut tha se anëtarët e Sindikatës shprehin keqardhje dhe i kërkojnë falje prindërve për situatën e krijuar. Greva e përgjithshme në arsim dhe çerdhe filloi të hënën e kaluar. /Alsat.mk