Policia e Shtetit po bashkëpunon me FRONTEX-in për neutralizimin e rasteve të kalimit të kufirit nga emigrantët e paligjshëm, apo të personave që i shtfrytëzojnë ata për të korrur përfitime monetare.
Së fundmi, është publikuar dhe një raport për emgrantët e jashtëligjshëm që janë kapur që nga fillimi i vitit 2022 deri tani. Sipas policisë, janë kapur 648 emigrantë të paligjshëm, duke shënuar një rritje me mbi 100%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, gjatë së cilës janë kapur 311 emigrantë.
Gjithashtu, policia thotë se ka forcuar burimet njerëzore dhe kapacitetet logjistike, me dy sisteme të avancuara të mbikëqyrjes së kufirit në qarkun Gjirokastër.
Njoftimi i policisë:
Kakavije/ Në shërbim gjatë natës, për operacionin e përbashkët me FRONTEX-in.
Bashkëpunim dhe efikasitet në drejtim të parandalimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, por edhe për evidentimin dhe goditjen e krimeve të tjera ndërkufitare dhe parandalimin e emigracionit të paligjshëm.
Në kuadër të operacionit janë forcuar dukshëm burimet njerëzore dhe kapacitetet logjistike, me dy sisteme të avancuara të mbikëqyrjes së kufirit në qarkun Gjirokastër.
Si rezultat i operacionit të përbashkët me FRONTEX-in, në Gjirokastër, nga data 1 janar deri më 17 prill, janë kapur 648 emigrantë të paligjshëm, duke shënuar një rritje me mbi 100%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, gjatë së cilës janë kapur 311 emigrantë.
Po gjatë kësaj periudhe, nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe operacionin e përbashkët me FRONTEX-in, janë goditur 19 raste të veprës penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 26 shtetas të arrestuar, 7 të shpallur në kërkim, 4 të proceduar penalisht, si dhe janë kapur 194 emigrantë të paligjshëm.
Gjithashtu, si rezultat i operacionit janë goditur edhe raste të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike, nëpëmjet kufirit të gjelbër, të kalimit të paligjshëm të kufirit në drejtim të shtetit grek, si dhe të futjes së mallrave kontrabandë nga shteti grek në Shqipëri.
Në kuadër të operacionit të përbashkët me FRONTEX-in, në Kakavije dhe në Kapshticë, është rritur 100% forca parandaluese dhe goditëse ndaj kontrabandimit të emigrantëve të paligjshëm që hyjnë në Shqipëri nëpërmjet kufirit të gjelbër me shtetin grek.
Gjithashtu, janë vënë para përgjegjësisë ligjore personat apo grupet e personave që tentojnë të kontrabandojnë emigrantë të paligjshëm nëpërmjet kufirit të gjelbër me Malin e Zi dhe Kosovën, kundrejt fitimit.
Operacioni i përbashkët me FRONTEX-in vijon zbatimin në çdo komponent të tij, duke evidentuar efiçencën e bashkëpunimit ndërmjet forcave të dislokuara nga FRONTEX-i dhe rojeve kufitare shqiptare./GSh