Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova, së shpejti, do të dorëzojë aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, si dhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s.
Kurti i bëri komentet në Berlin, pas një takimi me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.
Scholz priti të mërkurën në takim edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ky i fundit reagoi ndaj paralajmërimeve të Kosovës se do të bëjë përpjekje të anëtarësohet në organizata të reja ndërkombëtare.
“Nëse dikush nuk dëshiron të respektojë Marrëveshjen e Uashingtonit, edhe ne do të veprojmë në përputhje me Kushtetutën dhe interesat kombëtare”, tha Vuçiq.
Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në shtator të vitit 2020 një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit.
Me këtë marrëveshje, Kosova është pajtuar për një moratorium njëvjeçar mbi përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia ka rënë dakord për një moratorium – po ashtu njëvjeçar – mbi fushatën e saj kundër njohjeve të Kosovës si shtet.
Në bazë të Marrëveshjes së Uashingtonit, moratoriumet tashmë kanë skaduar.