BILD
Rrallë ka ndodhur që fjalët e Papës të polarizojnë kaq shumë sa këtë herë!
Në një intervistë me gazetën italiane ‘Corriere della Sera’, Papa Françesku fajësoi NATO-n për luftën agresive dhe barbare të Putinit.
Ai nuk shkoi aq larg sa të thoshte se prania e NATO-s në vendet fqinje ka provokuar Moskën. Por tha se ndoshta kjo e ka lehtësuar pushtimin.
Edhe nëse Papa po përpiqet qartë që të ndërmjetësojë dhe të gjejë një zgjidhje paqeje, akuzat e çuditshme ndaj NATO-s dhe fakti që ai dëshiron të udhëtojë te despoti i Kremlinit, Vladimir Putin, përpara se të shkojë në Kiev, u përballën me kritika.
‘Propaganda e vjetër ruse’
Eksperti i politikave të sigurisë, Markus Kaim nga Fondacioni për Shkencë dhe Politikë, tha për BILD: “Për fat të keq, Papa po përsërit propagandën e njohur ruse që nuk ka asnjë bazë. NATO as nuk i ka premtuar Rusisë se nuk do të zgjerohet në lindje dhe as nuk është armiqësore ndaj rusëve- përkundrazi”.
Në fakt, NATO është një aleancë mbrojtëse. Në intervistën e tij, Papa e lë të hapur pse Putini duhet të jetë ndjerë i kërcënuar prej saj.
Pikant është fakti se disa javë më parë, presidenti Volodymyr Zelensky dhe kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko e ftuan argjentinasin që të shkonte në vendin e shkatërruar nga lufta. Klitschko nuk donte të komentonte për BILD.
Në fund të fundit, Françesku e krahasoi luftën e Putinit me gjakderdhjen në Ruanda në vitin 1994, që shkaktoi të paktën 500 mijë viktima. Pra me një gjenocid shtazor me një vijë të qartë ndarëse mes autorëve dhe viktimave.
Reagimi i Kremlinit: Për momentin nuk mund të imagjinohet një takim me Putinin.
Dihej tashmë para intervistës: Papa Françesku kërkon një bisedë me luftënxitësin e Kremlinit. Ai madje ishte paraqitur personalisht në ambasadën ruse në Selinë e Shenjtë për të kërkuar ‘shpjegime’ menjëherë pas fillimit të luftës. Në mes të marsit, Papa paraqiti zyrtarisht kërkesën për një takim në Moskë- Papa gjithashtu është kreu i shtetit.
Ndoshta shansi i fundit i Putinit
Fjalia kyçe e intervistës, e cila synon t’i japë fund heshtjes pas vetë-ftesës në Moskë: “Deri më tani nuk kemi marrë përgjigje, por vazhdojmë të këmbëngulim, edhe pse kam frikë se Putini nuk do e marrë seriozisht këtë takim në situatën aktuale. Por si mund të ndalet ndryshe një brutalitet i tillë? Njëzet e pesë vjet më parë përjetuam të njejtën gjë në Ruandë…”.
Gjëja më e rëndësishme këtu është se kërkesa- pothuajse e paqartë- për bisedime vjen në një kohë të keqe për Putinin, pasi propaganda e tij ka arritur të depërtojë edhe në Perëndim akuzën perfide se Putini është në qoshe të ringut dhe si pasojë, ai nuk mund të gjejë një zgjidhje për të shpëtuar fytyrën, prandaj për fat të keq do të nisë një luftë bërthamore.
Dorëzimi pas bisedimeve me Papën mund të sigurojë një mbetje të fundit të njohjes ndërkombëtare- nëse Putini tërheq menjëherë të gjithë trupat.
Si diplomat, Françesku është i papërvojë
Linja diplomatike mbi të cilën po ecën Françesku është jashtëzakonisht e hollë. Nëse merrni parasysh se iniciativat e tij në politikën e jashtme- Venezuela për shembull- kanë bërë më shumë dëm sesa mirë, dhe se ai nuk ka përvojë si ndërmjetës ndërkombëtar, intervista tenton të jetë një provë se aftësisë së tij për të mësuar.
Megjithatë, edhe para aneksimit të Krimesë, kritikët e kishin akuzuar Vatikanin se ishte shumë afër Rusisë. Në fakt, këto akuza janë që nga koha e Benediktit XVI. Diplomatët e Vatikanit pretenduan në një rast të dyshimtë se Putini është më afër interesave të Vatikanit se Obama, gjë që shkaktoi një acarim të konsiderueshëm dhe një debat të ashpër.
Fjalë të qartë për mikun e Putinit, Kirilin
E diskutueshme atëherë si tani: përpjekja për të pajtuar Kishën e Romës me Kishën Ortodokse Ruse duke injoruar disa tipare të personalitetit të kreut të saj, Kirili I. Për shembull dashurinë e tij të turpshme për orët luksoze. Dhe mbështetjen e tij të pakushtëzuar ndaj Putinit për sulmin gjakatar në Ukrainë.
Papa Françesku konsiderohet jo më pak i dyshimtë se paraardhësi i tij në këtë drejtim. Por distancimi i tij në intervistë është mbresëlënës: “Kam folur me Kirilin për 40 minuta në Zoom. Për 20 minutat e para më lexoi justifikimet e luftës me një copë letër në dorë,” u ankua Françesku. Dhe ai shkoi një hap me tej kur tha se i kishte shpjeguar Kirilit se ‘nuk mund të bëhej bashkëpunëtor i Putinit’.
Pasoja: Papa anuloi një takim mes dy kishtarëve, të planifikuar për në mes të qershorit.
Me zemërim reagoi edhe Kisha Ortodokse Ruse: “Është për të ardhur keq që një muaj e gjysmë pas bisedës me patriarkun Kiril, Papa Françesku zgjodhi tonin e gabuar për të raportuar mbi përmbajtjen e kësaj bisede,” thuhet në një deklaratë nga Departamenti i Komunikimit i Kishës.
© SYRI.net