Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar Ilirin Konushevcin dhe Hazir Malën në përvjetorin e 24-të të vrasjes së tyre.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj thotë se në ditën e rënies së tyre, në Llapushnik po zhvillohej një betejë e cila i dha kahje të re luftës tonë për liri, njofton Klankosova.tv.
“Njëzetekatër vjet më parë, trimat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ndërpren armikut një prej arterieve kryesore të furnizimit dhe logjistikës”, shkruan kreu I AAK-së.
Postimi i plotë:
Populli shqiptar, edhe pse i ndarë, gjatë Luftës Çlirimtare veproi si një trup. Duke kujtuar sot figurat emblematike të lirisë sonë, Gjeneral Major Ilir Konushevci e Doktor Hazir Mala, kujtojmë përpjekjen e shqiptarëve të bashkuar me shpirt e pushkë, për ta fituar lirinë dhe për ta mbrojtur atë përjetë.
Në ditën e rënies së tyre, në Llapushnik po zhvillohej një betejë e cila i dha kahje të re luftës tonë për liri. Njëzetekatër vjet më parë, trimat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ndërpren armikut një prej arterieve kryesore të furnizimit dhe logjistikës. Me përulje e respekt kujtojmë e nderojmë të gjithë të rënët gjatë kësaj beteje, lavdia e së cilës do të mbijetojë shekujt.