Shteti kërkon t’i marrë pronat e TV Alsat: “Shteti të akuzon – Shteti të gjykon”

Prona që VEVE GROUP, dmth Televizioni Alsat, e bleu si pronë të pastër 16 vite më parë, me konfirmim nga shteti, tani duhet të ofrohet në ankand publik,  pasi që shteti ka gjetur një hipotekë të harruar.

Pas këtij vendimi të Gjykatës së Apelit, nga kompania VEVE GROUP dolën me një qëndrim, me të cilin publikisht pyesin – cila është siguria juridike për të investuar në vend, kur shteti nëpërmjet organeve të tij, duke dhënë të dhëna të pasakta, i vë në habi investitorët.

Imagjinoni – blini një apartament në Shkup. Merr një certifikatë pronësie të pastër nga Kadastra që prona nuk ka hipotekë dhe më pas edhe një vërtetim që banesa është e juaja. Mirëpo vetëm pas disa vitesh, një përmbarues troket në derën tuaj.

Ai thotë se apartamenti nuk është i juaj, sepse është vënë nën hipotekë para se ta blini. Askujt nuk i intereson fakti që kur e keni blerë apartamentin,  nuk ka pasur hipotekë. Kështu që tani, për shkak të një gabimi të një institucioni shtetëror, një institucion tjetër shtetëror ju detyron ose të largoheni ose të blini sërish apartamentin tuaj.

Ky nuk është kulminacioni i një akti dramatik – por rast i vërtetë, në Maqedoni.

Në qendër të Shkupit, në qendrën tregtare “Mavrovka”, në katin e nëntë, punon një pjesë e stafit të televizionit kombëtar “Alsat”. Rreth 300 metra katrorë është hapësira, në të cilën funksionon redaksia, montazhi, studioja dhe regjia e lajmeve. Kështu është plot 16 vite, mirëpo për shkak të një problem absurd, mbetet pyetja se nëse do të mbetet ashtu.

Lokalet janë blerë në vitin 2006 dhe pronar zyrtar është VEVE GROUP nga Shkupi, përndryshe pronari shumicë i TV Alsat. Shitësi, atë kohë ishte Banka Ndërkombëtare Private, e cila më vonë do të quhej Capital Bank.

VEVE GROUP fillimisht në vitin 2009, dhe disa herë më vonë, ka kërkuar dhe ka marrë një dokument nga Kadastra se prona nuk është e ngarkuar me hipotekë. Në ato dokumente, Agjencia konfirmon se nga inspektimi i librave të intubacionit, nga viti 1990 deri në vitin 2009, gjegjësisht deri në vitin 2011, mbi pasurinë e patundshme nuk është regjistruar asnjë hipotekë.

Borxhliu i vërtetë, i cili e kishte lënë peng pronën, vite me radhë ishte në falimentim dhe zhvilloheshin procedura gjyqësore dhe ndërkohë kreditori kryesor bëhet shteti, pra Ministria e Financave. Epo, në vitin 2016, një përmbarues ka bërë përpjekjen e parë për të shitur katin në të cilën ndodhet TV Alsat për të kompensuar shtetin, pavarësisht faktit se në momentin e blerjes së pronës, pronarëve të Televizionit u është dhënë një dokument nga një institucion shtetëror se prona është e pastër, nuk ka hipotekë.

Kundërshtimit të TV Alsat kundër shitjes publike, përmbaruesi i përgjigjet në këtë mënyrë:

“Personi i tretë, i cili tani është pronar i pronës, nuk është “borxhli” në këtë procedurë, por është i detyruar të pësojë dëmin nga procedura, për shkak se është pronar i pronës, e cila është lënë peng në favor të dikujt tjetër”, ka deklaruar përmbaruesi para Gjykatës Themelore Civile.

VEVE GROUP më pas e ka fituar kontestin para Gjykatës Themelore, por vetëm për shkak të vlerësimit se ka pasur parregullsi në veprimet e përmbaruesit, kështu që ekzekutimi është pezulluar. Por, këtë vit një përmbarues, sërish po tenton të shesë pronën, për të cilën pronarët e televizionit po apelojnë në gjykatë.

Në shkallën e parë, VEVE GROUP e fiton kontestin, sërish për parregullsi në procedurat e mëparshme. Gjykata ndër të tjera thekson faktin se kur është blerë prona, nuk ka pasur hipotekë.

“Në rastin konkret, para se të ekzekutohet, duhet të përcaktohet nëse VEVE GROUP, i cili ka fituar pronësinë mbi pasurinë e patundshme për të cilën, nuk është regjistruar e drejta e pronës peng, në librin publik, është i detyruar të pësojë me shitjen e patundshmërisë, e cila është në pronë të saj dhe të zgjidh kreditorin, i cili është regjistruar pas regjistrimit të drejtës së pronësisë. Nga kjo arsye, që është në kundërshtim, vihet në pikëpyetje siguria juridike, e drejta e garantuar me Kushtetutë e pronës e cila është e pacenueshme dhe gëzon mbrojtje me Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut,” shkruan ndër të tjera në procesverbalet gjyqësore.

Në këtë vendim është ankuar Avokati shtetëror, si avokat i shtetit, dhe e fiton kontestin para Gjykatës së Apelit në Shkup. Më 14 prill të këtij viti, i kthehet vendimi për shitje publike të pronës.

Aktgjykimi i shkallës së dytë thekson rëndësinë e besimit në librat publik, por në këtë kontekst thekson se ekziston një hipotekë që nga viti 1993.

“Përmbaruesi ka pasur besim në librat publik, kur në listën pronësore të përmendur ka shënimin e hipotekës më 25 korrik 2013… kështu që gjykata duhet të ketë besim në librat publik” thuhet nga Gjykata e Apelit në Shkup.

Por pse i njëjti parim i besimit në librat publik nuk vlen për VEVE GROUP?

Rekomandimi i Gjykatës së Apelit, është që VEVE GROUP, të ngrit akt padi në një procedurë tjetër.

“Nëse pronari aktual i pronës e konsideron, mund të kërkojë në një procedurë tjetër dëmshpërblim të mundshëm për faktin se gjatë blerjes së pronës në fjalë nuk ka ditur se kjo pronë është e ngarkuar me hipotekë”, thuhet në sqarimin e Gjykatës së Apelit në Shkup.

Pas këtij vendimi të Gjykatës së Apelit – nga kompania VEVE GROUP dolën me një qëndrim, në të cilin publikisht pyesin – cila është siguria juridike për të investuar në vend, kur shteti nëpërmjet organeve të tij, duke dhënë të dhëna të pasakta, i vë në pikëpyetje investitorët.

Një opsion është që kontesti të zgjidhet ndryshe, nëse shteti heq dorë nga pretendimi për të cilin blerësi nuk ka ditur. Kjo do të kompensonte edhe një kërkesë për dëme nga blerësi, ndër të tjera, edhe nga shteti që i dha atij informacionin e pasaktë – se nuk ka hipotekë në pronë.

Ministria e Financave, megjithatë nuk hoqi dorë nga pretendimi, kështu që ai opsion nuk është më në lojë. Ministri në këtë dikaster, i cili vjen nga radhët e BDI-së, Fatmir Besimi, nuk ka dashur të komentojë në detaje.

“Këto janë çështje ligjore dhe për momentin nuk mund të jap deklaratë, sepse janë vendime gjyqësore. Ajo që është e rëndësishme është që drejtësia të jetë në vendin e duhur dhe ne si shtet jemi gjithmonë të interesuar që investitorët të jenë të sigurt”, tha ministri i Financave, Fatmir Besimi më 4 maj 2022 në një prononcim për televizionin Alsat.

“360 Gradë” i është drejtuar edhe Avokaturës së Shtetit, por nga atje vetëm shkurt janë përgjigjur se ata janë duke vepruar me kërkesë të Ministrisë së Financave.

Kemi pyetur në Kadastër se si është e mundur që një hipotekë që nuk ekzistonte në vitin 2009 të figurojë në listën e pronave, tri vjet më vonë. Nga aty janë përgjigjur se deri në vitin 2008, të ashtuquajturat “Librat e Intubacionit”, janë mbajtur në gjykatë dhe më pas janë transferuar në Kadastër.

Derisa ai libër mbahej në gjykatë, hipotekat janë shkruar në emër të pronarëve, jo në vetë fletat e pronësisë, siç është tani. Epo, hipoteka u shfaq, kur Kadastra filloi të fuste të dhënat nga librat gjyqësorë në fletat ose aktet e pronësisë.

“Intabulimet janë bartur në Listën Pronësore, jo me kërkesë të një pale, por sipas detyrës zyrtare gjatë viteve 2011, 2012 dhe 2013. Sa i përket kërkesave të palëve, nëse ka hipotekë në listën e pronave, Certifikatat janë lëshuar në lidhje me emrin, dhe jo në lidhje me pasurinë e paluajtshme. Kjo do të thotë se të dhënat e marra nga gjykata, na lejonin të kërkonim vetëm në bazë të një emri për hipotekë, dhe jo në lidhje me pasurinë e patundshme. Ndërsa kalimi i barrëve nga librat e intubacionit në Fletët e patundshmërisë, bëhet në bazë të identifikimit të kryer, në bazë të pasurive të patundshme,” thuhet në përgjigjen nga Kadastra.

Epilogu është se prona që VEVE GROUP, ose TV Alsat, e bleu si të pastër, 16 vite më parë, me konfirmim nga shteti, tani do të ofrohet në shitje publike, sepse shteti ka gjetur një hipotekë të harruar.

TV Alsat do të ketë mundësinë të ofrojë dhe blejë pronën e tij për herë të dytë, gjë që është absurde në vetvete. Por tani çmimi është më i lartë. Jo vetëm për shkak të rritjes së vlerës së pasurive të patundhshme, por edhe sepse hapësira është në gjendje të mire, si rezultat i investimit të rregullt të televizionit në ambientet që shteti tani thotë se nuk janë të saja.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme