Mbi 100 milionë euro kanë përfituar kompanitë e sigurimeve nga mos anëtarësimi i Kosovës në Kartonin e Gjelbërt. Byroja Kosovare e Sigurimeve është kritikuar në vazhdimësi për zvarritjen e procesit të aplikimit. Por, në vend të angazhimit për këtë çështje, drejtues të këtij institucioni janë mobilizuar për emërime të njerëzve të afërt. Para dy muajsh, në qershor Gani Thaçi është emëruar në postin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të BKS-së. Ndërkaq dje, Edona Ahmeti, e dashura e Kushtrimit Thaçit-djalit të Gani Thaçit është emëruar në postin e drejtoreshës për Karton të Gjelbër.
Departamentin më të rëndësishëm brenda Byrosë Kosovare të Sigurimeve do ta udhëheq një person i njohur për Gani Thaçin, vëllain e presidentit Hashim Thaçi.
Gani Thaçi ushtron detyrën e drejtorit ekzekutiv të BKS-së ndërsa Edona Ahmeti është emëruar në pozitën e drejtoreshës së departamentit për Karton të Gjelbërt. Ahmeti është e dashura e Kushtrim Thaçit, djalit të Gani Thaçit që drejton BKS-në, shkruanInsajderi.
Është emëruar në këtë post dje, më 11 gusht, nga Këshilli Administrativ i Byrosë Kosovare të Sigurimeve.
Përgjegjësit e saj përfshijnë detyrat prej më rëndësishmëve dhe më të ndjeshmeve brenda industrisë së sigurimeve.
Nisin që nga implementimi i marrëveshjeve të mirëkuptimit për polisat kufitare me vendet e rajonit e deri tek përgatitja e Kosovës për anëtarësim në këshillin ndërkombëtarë të Byrove, përkatësisht pajisjen me Karton të Gjelbërt.
Qindra miliona euro kanë përfituar kompanitë e sigurimeve nën arsyetimin se Kosova nuk është pjesë e Kartonit të Gjelbërt.
Nga viti 2002 e deri më 2015 kanë mbledhur rreth 130 miliona nga tarifat e sigurimit kufitar. Këto pagesa janë inkasuar kryesisht nga mërgimtarët që vijnë në Kosovë, gjatë pushimeve.
Industria e sigurimeve ka arsyetuar tarifat e larta të sigurimit kufitar me faktin s’obligohen të paguajnë dëmet eventuale për shkak se Kosova nuk është pjesë e Kartonit të Gjelbër.
Por, shuma e dëmeve është shumëfish më e ulët. Vetëm 10 milionë e 300 mijë euro janë paguar për kompensimin e dëmeve nga kompanitë e sigurimeve, bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore.
Insajderi ka kontaktuar Gani Thaçin, ushtruesin e detyrës së drejtorit ekzekutiv të Byrosë Kosovare të Sigurimeve.
Ai është emëruar në këtë detyrë më 24 qershor të këtij viti. Thaçi ka pohuar se nuk ka qenë në zyre dhe se nuk është në dijeni që Edona Ahmeti është emëruar në pozitën e drejtoreshës së departamentit për Karton të Gjelbër.
“Prej teje e morra vesh. Nuk kam qenë në zyre dhe nuk e di që ka ndodhur kjo”, ka thënë Thaçi.
“Djali im nuk është as i fejuar dhe as i martuar. Kështu që, zyrtarisht unë nuk kam kurrfarë lidhje me të (v.j drejtoreshën e departmantit për Karton të Gjelbër)”, ka shtuar Thaçi.
Edona Ahmeti para se të emërohej dje në këtë post kishte ushtruar për gjashtë muaj këtë pozitë.