Policia e Kosovës ka shkatërruar dy laboratorë të drogës, një në veri të Kosovës dhe një në Ferizaj, bëri të ditur ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.
Ai tha se në Izvor, në veri të Kosovës, që gjendet pranë kufirit me Serbinë, zyrtarët policorë dhe ata të doganave janë gjuajtur me armë zjarri, por “aksioni po vazhdon me sukses pa asnjë lëndim apo dëm material”.
“Në afërsi të kufirit me Serbinë, në vendin Izvor, në veri të Kosovës, policia zbuloi laboratorin e kultivimit të marihuanës me mbi 10,000 fije bimë të gatshme për t’u shitur ilegalisht në treg”, tha Sveçla përmes një njoftimi në Facebook.
Ndërkaq, gjatë një aksioni në Ferizaj, dhjetë persona janë arrestuar dhe janë konfiskuar mbi 68 kilogramë drogë, pasi policia shkatërroi një laborator të drogës sintetike, tha Sveçla.
Së fundmi, Policia e Kosovës ka ndërmarrë disa aksione që kanë pasur në shënjestër kultivimin dhe shitjen e narkotikëve. Në prill, ishte shkatërruar një laborator droge në Zveçan dhe ishin arrestuar katër serbë, dhe pesë të tjerë u arrestuan në Mitrovicë të Jugut dhe Fushë Kosovë nën dyshimet për blerje dhe shitje të paautorizuar të substancave narkotike./REL