Përfaqësuesit e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) mbajtën një takim pune për të diskutuar gjendjen e gazetarëve dhe mediave në të dyja vendet.
Dragan Sekulovski, drejtor ekzekutiv i SHGM-së para njëzet kolegëve të mediave të ndryshme në Kosovë prezantoi projektet dhe përpjekjet aktuale të SHGM-së për të përmirësuar solidaritetin në terren dhe për të mbrojtur të drejtat e gazetarëve në Maqedoni kur ata janë në rrezik.
“Një nga format e përmirësimit të bashkëpunimit mes gazetarëve por edhe avancimit të njohurive të tyre e bëjmë edhe përmes aktiviteteve të seksioneve tematike të SHGM-së në Shkup dhe qytete tjera”, tha Sekulovski.
Xhemajl Rexha, kryetar i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, ka folur për gjendjen me të drejtat e gazetarëve dhe sfidat që kanë mediat në kontekstin e tyre vendor.
Ai theksoi se vizita të tilla bashkëpunuese në vendet fqinje dhe shkëmbimi i përvojave dhe njohurive kanë ndikim pozitiv në komunikimin dhe bashkëpunimin e ardhshëm mes gazetarëve në të gjithë rajonin.
Në këtë takim pune u diskutua për mundësinë e organizimit të vizitave të ngjashme studimore të gazetarëve në Ballkanin Perëndimor për tema që do të jenë me interes për gazetarët, por veçanërisht me qëllim të përmirësimit të përbashkët të standardeve profesionale, duke shkëmbyer informacione për shembuj të suksesshëm të punës së gazetarëve.
Të pranishmit debatuan mbi sfidat e dezinformimit në rajon, sigurinë e gazetarëve dhe modelet e financimit të medias.