Gazetar: Melihate Rustemi
Gjysmë maturantët po bëjnë përgatitjet e fundit për tu regjistruar në shkollat e mesme.Për herë të parë, në shkollën profesionale “Vllado Tasevski” është hapur drejtimi Elektroteknik për teknikë kompjuterike dhe automatikë ose siç thonë mësimdhënësit programim dhe kodim.
“Ky profil besoj se do të jetë atraktiv dhe interesant për nxënësit e ri shkaku se jetojmë në një kohë ku interneti dominon me të madhe dhe kërkesat në treg janë shumë të mëdha, posaçërisht për këtë profil dhe këtë profesion. Interneti tashmë dominon te të gjithë të rinjtë, pse mos ta shfrytëzojmë në atë anën pozitive, ja ku është mundësia. Ky drejtim është i pari, është viti I parë që mundësohet në një shkollë të Shkupit, në gjuhën amtare”, u shpreh Meriton Berisha, mësimdhënës.
Mësimdhënësi Uran Tuda kujton nxënësit se regjistrimi në shkolla të mesme do të bëhet në formën online. Ndërsa, nxënësit që nuk do të kenë mundësi të aplikojnë nga shtëpia mund të shkojnë në hapësirat e shkollës.
“Kemi edhe dy drejtime të tjera në fushën e elektros, është drejtimi për elektro teknikë dhe telekomunikim dhe në fushën e shpedicionit për transport dhe shpedicion, është drejtim i njohur që disa vite. Afati i parë është 14 qershori, regjistrimi do të jetë elektronik dhe shpresojmë që do të na paraqiten më të mirët”, tha Uran Tuda, mësimdhënës.
Nxënësit që aktualisht mësojnë në këtë shkollë thanë se drejtimet profesionale janë mundësia më e mirë për të siguruar punë të menjëhershme vetëm më arsim të mesëm.
“Shpedicioni është shumë drejtim interesant, sidomos për femrat sepse mundesh me katër vjet shkollim të punësohesh ku të duash. Gjithashtu të jep mundësi të punësohesh edhe në auto shkollë, si instruktore. Nuk është drejtim i rëndë, mundesh të mësosh lehtë”, u shpreh një nxënëse.
Regjistrimi në shkollat e mesme, në vitin e ri shkollor 2022-23 do të realizohet më 14 dhe 15 qershor aplikimi i parë. Aplikimi i dytë më 21 dhe 22 qershor dhe aplikimi i tretë më 28 qershor./Alsat.mk