Nga Kim Mehmeti
Ka vite që jemi duke e përsëritur të vërtetën që e dinin të gjithë – se ‘Ballkani i Hapur’ është projekt ruso’serb – përpos shqiptarëve të dehur nga ‘shlivovica’ serbe, siç janë për shembull leninistët që e drejtojnë BDI-në dhe ‘Rilindësit’ të cilët më të sigurt ndjehen në prehrin serb. se sa në kraharorin e shqiptarisë.
Por sot, pasi iu pengua ardhja në Beograd, ku mbase nga afër do jepte udhëzime për të nesërmen e projektit të përbashkët ruso-serb, pra sot, në çaste mllefi dhe sinqeriteti të plotë, ministri i jashtëm rusë publikisht pranoi se ‘Ballkani i Hapur’ është ‘fëmijë’ i cili ka prindër Moskën dhe Beogradin, e rritën e të cilit e pengojnë BE-ja dhje NATO-ja.
Dhe unë përzemërsisht e falënderoj ministrin rus të punëve të jashtme për shpalosjen e kësaj të vërtete që jam duke e përsëritur me vite, sepse e di se shumicën e ‘intelektualëve’ dhe ‘mendimtarëve’ të popullit tim i dallon një virtyt i veçantë, e që e shpërfaq mendësinë e servilit që e beson vetëm atë që e thotë i huaji, qoftë ai edhe shëtitës i zagarëve të ‘mbretit’ si dhe, të mos dyshojë fare në atë që e thonë shqiptarët e pushtetshëm dhe të pasur!
Kuptohet, edhe pas kësaj, Kryeministri i Shqipërisë do na këshillojë të shikojmë të mirat që do na i sjellë Serbia e së ardhmes, e jo të mbetemi peng i së shkuarës, kur në emër të ‘Botës Serbe’, vriteshin fëmijët shqiptarë. Pra do mundohet të na bind se shqiptarë mendjehapur e të civilizuar janë vetëm të ngjashmit si ai: ata që ndjehen mirë të ulur në prehrin e Beogradit!
Por sidoqoftë, prej moti është e qartë se ‘Rilindësit’ dhe drejtuesit BDI-së nuk i bren ndërgjegjja për asgjë, sepse dihet: brerja e ndërgjegjes së burrështetasve të papërgjegjshëm nuk buron nga turpi se kanë bërë diçka mëkatare dhe të dëmshme për popullin e vet, por nga frika se do i humbin privilegjet që ua ofron pozita e pushtetarit. Si dhe nga frika se do mund ta humbin dashurinë dhe besimin e vëlluat të madh, të atij që ua përcakton fatin politik – mbështetjen dhe adhurimin e Beogradit. (Kim Mehmeti)/sakte.net