Gazetar: Isuf Kadriu
Ashtu edhe siç pritej, Kosova nuk mori pjesë në takimin e radhës të “Ballkanit të Hapur”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në letrën që i kishte dërguar kryeministrit Dimitar Kovacevski kishte thënë se refuzon pjesëmarrjen në këtë takim, pasi, Kosova mbetet e angazhuar në Procesin e Berlinit, shkruan Alsat.
Sipas Kurtit nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.
Pavarësisht kësaj, pjesëmarrësit e takimit të sotëm përsëriten thirrjen drejtuar Kosovës që ti bashkëngjitet nismës. Kryeministrit shqiptar Edi Rama duke marrë shembull SHBA-në dhe Japoninë, por edhe Francën dhe Gjermaninë, tha se Ballkani i Hapur mund të shihet edhe si mundësi për pajtimin e Kosovës dhe Serbisë.
“Sa më shumë të afrohemi aq më shumë zgjidhim problemet dhe armiqësitë, aq më shumë kemi mundësi të zgjidhim edhe problemin mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Rama duke theksuar nevojën për më shumë afërsi dhe komunikim që “njerëzit ta kuptojnë se e ardhmja është më e rëndësishme se sa e shkuara”, tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.
“Nuk do të thotë që të gjithë ta mbështesin këtë nismë, por është me rëndësi që kjo po merr mbështetje gjithnjë e më shumë. Të gjitha kërkesat për t’iu bashkuar nismës janë të mirëseardhura”, u shpreh Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë.
Ndryshe nga Kosova, në takimin në Ohër morën pjesë Mali I Zi dhe Bosnjë e Hercegovina por në cilësinë e vëzhguesve.
Kryeministri shqiptar kishte shkruar në Facebook se pjesëmarrja e Abazoviqit në takimet në Ohër, “fut zyrtarisht Malin e Zi në ‘Ballkanin e Hapur’”. Por Abazoviq e mohoi këtë në kanalin e tij në rrjetin social Telegram duke theksuar se nuk po merrte pjesë në takimin e Ohrit për t’iu bashkëngjitur ‘Ballkanit të Hapur’, por për të shprehur, së bashku me partnerët e BE-së dhe aleatët e NATO-s, qëndrimin ndaj një nisme rajonale.
Ndërkohë nga Bosnja Hercegovina thanë se nuk janë pjesë e nismës për shkak të mungesës së një konsensusi politik.
“Bosnja nuk është formalisht anëtare e nismës por shpresoj që të jem i fundit që këtu të jem në cilësinë e vëzhguesit, apo çdokush tjetër që vjen këtu të flet në cilësinë e anëtarit të nismës së “Ballkanit të Hapur”. Për fat të keq në BeH nuk ka konsensus për këtë nismë. Nuk ka përgjigje serioze se për çfarë nuk mbështetet sikur që nuk ka përgjigje negative. Thjesht ekziston një heshtje”, theksoi Zoran Tageltija, Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës.
Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, të prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë./ Alsat.mk