Ngërçi për hartën e re gjyqësore/ Avokatët nisin grevën, paralizohet sistemi i drejtësisë

Avokatët e Gjirokastrës dhe Përmetit bojkotojnë seancat gjyqësore sot dhe gjatë gjithë javës në vazhdim. Deri të premten në Gjykatën e Faktit në Gjirokastër do të shtyhen 134 seanca gjyqësore për shkak të bojkotit të avokatëve. Përjashtim bëjnë vetëm masat e arrestit. Sipas përfaqësuesit të Dhomës së Avokatisë në Gjirokastër, Tahir Novi, bojkoti do të vazhdojë pafundësisht derisa të përmbushen kërkesat e avokatëve.

Qarku i Gjirokastrës humbet me këtë reformë Gjykatën e Apelit, atë Administrative dhe gjykatën e Përmetit. Ata thonë se nuk janë dëgjuar sugjerimet e tyre lidhur me këtë reformë që shton kostot e qytetarëve si pasojë e largësisë. Populli humbet aksesin në gjykata, u shpreh Novi.

Bojkotit të seancave gjyqësore i është bashkuar edhe dhoma vendore e avokatisë në Lezhë. Avokatët protestuan para Gjykatës së Lezhës, duke kundërshtuar hartën e re gjyqësore që sipas tyre fut edhe më tej në kolaps sistemin e drejtësisë. Gjate kësaj të marte në Lezhë për shkak të bojkotit të avokatëve janë bllokuar 47 seanca gjyqësore.

Më herët, Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, paralajmëroi masa ndaj të gjithë atyre avokatëve që nuk respektojnë vendimin e marrë madje deri në heqje të licencës. Përjashtim bën vetëm masa e sigurisë ndaj të arrestuarve. Protesta sipas Haxhisë, do të zgjasë deri ditën e premte duke nisur nga kjo e martë.

“Nuk ka asnjë avokat të paqartë. Do t’i bëjmë dhe kërkesë gjykatës që nuk do të marrim pjesë për shkak të këtij vendimi. Masat e sigurisë në mënyrë absolute nuk do të bojkotohen. Ne shpresojmë që kjo grevë të jetë kambanë për Ministrinë e Drejtësisë që të merren parasysh kërkesat tona, që nuk janë të avokatëve, por të personave fizikë e juridikë.

Nëse avokatët nuk i binden urdhrit të Dhomës së Avokatëve për bojkot, do procedohen ose do merren masa deri në heqjen e licencës. Nëse nuk do të merret parasysh, Komiteti Drejtues do mblidhet për të përcaktuar qëndrimin që do të ndjekim. Të gjithë janë pajtuar dhe nuk është asnjë që nuk ka rënë dakord. Kjo situatë nuk zgjidhet me një situatë që krijon akoma më shumë probleme”, tha Haxhia.

KONSULTIMET FARSË

Pavarësisht se Ministria e Drejtësisë pretendon se drafti i miratuar tanimë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor është konsultuar me grupet e interesit, për kreun e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, takime të tilla kanë rezultuar farsë, pasi nuk është marrë në asnjë rast mendimi i tyre.

“Lidhur me projektdraftin e hartës gjyqësore dhe qëndrimin e vlerësuar. Të premten, KLGJ mori vendimin për miratimin e draftit me një ndryshim të vetëm. Tashmë ishte realitet që tavolinat kanë qenë farse propagandistike. Në këto kushte vendosëm të bojkotojmë të gjitha proceset në të gjitha nivelet e gjykimit, përfshi Gjykatën e Lartë. Procesi fillon nesër dhe mbaron të premten. Me këtë bojkot synojmë të sensibilizojmë të gjithë shtetasit se duhet ta kenë të qartë të gjithë personat fizikë dhe juridikë që, nëse duan të kenë zgjidhje të çështjeve gjyqësore, të ndërgjegjësohen duke dhënë mesazhin që interesat e tyre nuk po përfaqësohen, përkundrazi kjo hartë cenon rëndë aksesin në drejtësi të individëve dhe personave juridikë dhe rrit kostot dhe shpenzimet”, tha Haxhia.

ÇFARË PARASHIKON REFORMA

E konsideruar si reforma më e thellë gjyqësore, me hartën e re, parashikohet shkrirja e gjykatave në rrethe, çka qytetarëve iu duhet të udhëtojnë me orë të tëra për të marrë pjesë në një proces gjyqësor.

E prezantuar rreth gjashtë muaj më parë nga Ministria e Drejtësisë, reforma parashikon shkrirjen e 4 gjykatave administrative, duke lënë vetëm dy, përkatësisht në Tiranë dhe Lushnjë. Ndërkohë, Gjykata të Shkallës së Parë mbeten vetëm 13, duke u mbyllur gjykatat e Tropojës, Pukës, Matit, Kurbinit, Kavajës, Krujës, Lushnjës, Pogradecit dhe Përmetit. Pas miratimit nga KLGJ-ja, vendimi do të kalojë edhe në KLP, nga Prokurori i Përgjithshëm dhe Ministria e Financave për t’u miratuar në fund nga Këshilli i Ministrave./GSH

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme