Një operacion i koordinuar nga policia braziliane dhe ajo portugeze pak ditë më parë ka goditur një bandë të trafikut të drogës që drejtohej nga shqiptarët, ku janë sekuestruar 1 ton kokainë e mbështjellë me ambalazh “Louis Vuitton”.
Fillimisht me datë 7 qershor policia braziliane sekuestroi 350 kg kokainë në një nga shtëpitë e Altin Drimadhës në Sao Paulo e cila ruhej nga dy anëtarë vendas të bandës së tij, të dy të armatosur.
Më pas në bazë të pamjeve filmike të gjetura në një USB në këtë banesë, policia arriti të gjurmojë jahtin ku ishte nisur pjesa tjetër e ngarkesës së kokainës drejt Lisbonës. Në koordinim me policinë portugeze në këtë jaht u zbuluan 650 kg kokainë.
Por në krye të kësaj organizate, përveç Altin Drimadhës është një tjetër shqiptar akoma më i rrezikshëm me të shkuar kriminale në Australi. Sipas autoriteteve vendase ai dyshohet se drejtonte trafikun e drogës në katër shtete.
Ai rezulton i përfshirë në ngjarje të rënda kriminale me bandat e motorëve. Ka qenë një tatuazh ai që ka çuar në zbulimin e tij nga ana e autoriteteve. Sipas mediave banda e tij kishte një tatuazh të veçantë që i bënte ata të dallueshëm nga pjesa tjetër.
Duke pasur parasysh provat, arrestimet dhe pamjet e mbledhura në operacion për të hetuar është përfshirë edhe Interpoli për të çuar në shkatërrimin e organizatave kriminale që veprojnë duke mbuluar Adelaide dhe Brisbane – Australi, Amsterdam – Holandë, Antwerp – Belgjikë, Monte Carlo – Monaco.
Dyshimet janë se trafikanti shqiptar mund të jetë larguar nga Brazili dhe tani mund të fshihet në kufi me Bolivinë.
Tani po merren në pyetje dy anëtarët brazilianë të bandës të cilët u kapën të armatosur duke ruajtur shtëpinë e Altin Drimadhës. Në pranga janë vënë edhe kapiteni, oficeri, inxhineri dhe marinarët e jahtit me flamur maltez që u ndaluan në Portugali ndërsa po pyeten edhe studentët të cilët ndodhen në jaht edhe pse deri tani nuk ka prova që mund të implikojnë përfshirjen e tyre në trafikun e drogës.