Tensionet e një dite më parë kanë vazhduar edhe sot në Kuvend

Gazetare: Fatlume Dervishi

Skandal të pashmangshëm e quan BDI-ja incidentin e një dite më parë kur deputeti i saj Arbër Ademi u konfrontua me deputetët e opozitës dhe gjuajti me filxhanë dhe shishe plastike në drejtim të tyre. Ademi vetë akuzoi deputetin Antonio Milloshoski si nxitës të këtij zhvillimi, si pjesë e skenarit për të destabilizuar vendin. Ai nuk kërkoi falje por tha se ndjen keqardhje për atë që panë qytetarët.

“Duhet ta pyesni Antonio Milloshoskin sepse ai plotësisht e provokoi këtë situatë dhe po ashtu me shkaktoi lëndime në ulësen time të punës, në vendin tim të punës. Unë nuk shkova në vendin e tij ku ai ishte i ulur dhe nuk ja mora mikrofonin e tij të mos i lejoj të flasë por ishte ai që nuk me lejoi mua. Unë shpreh keqardhje që opinioni është dëshmitar i skenave të këtilla të pakëndshme të provokuara nga opozita të cilët janë të motivuar nga agjenda të jashtme për destabilizimin e vendit”, tha Arbër Ademi, BDI.

VMRO-DPMNE-ja fton prokurorinë të reagojë ndaj Ademit. Ata thonë se dhunën e Ademit duhet ta dënojë edhe LSDM-ja.

“Kjo më i kalon të gjithë kufijtë, ky është shembull klasik për vepër penale. I bëjmë thirrje Prokurorisë Publike të reagojë dhe në të njëjtën kohë kërkojmë të hiqet imuniteti i deputetit Arbër Ademi dhe të përgjigjet për dhunën në shtëpinë ligjvënëse. Presim që edhe deputetët e koalicionit të LSDM-së dhe Dimitar Kovaçevski të dalin nga prehri i BDI-së dhe të paktën një herë të marrin guximin dhe të sanksionojnë sjelljen e këtillë”, u shpreh Dafina Stojanovska, VMRO-DPMNE.

Edhe Aleanca për Shqiptarët një ditë më parë, pak pas incidentit, tha se këto akte ku pësoi edhe deputeti i tyre Elmi Aziri duhet të ndëshkohen.

“Ju bëjmë thirrje qytetarëve të mos bien pre e skenareve të këtilla dhe lojërave të fëlliqta të BDI-së të cilët i kap paniku sa herë që u rrezikohet pushteti ose nuk u shkojnë planet deri në fund. Të gjithë duhet të dënojmë rëndë këto akte vandal dhe të mbajnë përgjegjësi përfundimisht vandalistët”, theksoi Ilire Dauti, Aleanca për Shqiptarët.

Tensionet e një dite më parë vazhduan edhe sot. Në Komisionin për Çështje Evropiane, Ademin sot e zëvendësoi deputetja Arta Bilalli Zendeli e cila është zv/kryetare e këtij organi. Në rend dite është Ligji për marrëdhënie pune i cili parashikon zgjatjen e mandatit të gjykatësve dhe prokurorëve edhe 3 vjet pas moshës së pensionimit, me miratimin e Këshillit Gjyqësor. Propozimi ishte fillimisht i deputetëve të shumicës por meqë opozita kishte paralajmëruar se do ta bllokojë, Qeveria e lëshoi atë me procedurë të shkurtuar me yll të BE-së. Kjo nënkupton që debati për të mund të zgjasë vetëm dy ditë. E ndërkohë që kryesuesit në Komisionin për Çështje Evropiane pretendojnë se debati ka filluar që dje dhe duhet të përfundojë sot, opozita pretendon të kundërtën. Ata thonë se rendi i ditës nuk është miratuar akoma dhe debati për këtë pikë të rendit të ditës nuk ka filluar akoma kështu që afati prej dy ditësh nuk është duke rrjedhur.

Në seancë, VMRO-DPMNE-ja mori pjesë në përbërje të plotë e ndërkohë, një pjesë e deputetëve të shumicës mbetën në këmbë. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme