Gazetar: Bashkim Sulejmani
Edhe përkundër rrezikut të madh që përbëjnë për vozitësit, shtyllat e urave në autostradën Tetovë-Gostivar, të cilët në disa pika kanë mbetur vetëm në tela, assesi të riparohen. Katër muaj më parë, drejtori i Rrugëve të Maqedonisë, Ejup Rustemi, premtoi se jo vetëm shtyllat, por sivjet do nisin punimet për zgjerimin dhe rregullimin komplet të autostradës. Tani Rustemi shprehet ndryshe. Thotë se projekti është ende në fazë fillestare, shkruan Alsat.
Ne në Ndërmarrjen publike, Rrugët Shtetërore, filluam procedurën për zgjedhjen e mbikëqyrjes dhe konsulencës për arritjen e marrëveshjes me Bektel dhe Enkel. Pas përfundimit me sukses të procedurës për zgjedhjen e mbikëqyrjes ne dje, në komitetin për negociata në Qeveri e zgjodhëm edhe ekipin negociues dhe javën e ardhshme do fillojnë edhe bisedimet për arritjen e marrëveshjes me Bektel dhe Enkel”, deklaroi Ejup Rustemi, drejtor i Ndërmarrjes së Rrugëve Shtetërore.
Ndërkohë që punët po zvarriten, vozitësit ankohen se po përballen me probleme dhe rreziqe të vazhdueshme.
“Krejt gjërat janë në hall, nuk është në rregull asgjë, krejt gropa është katastrofë është. Paguajmë rregullisht, pushteti krejt pas dore e ka lanë, paguajmë pikë pagesa një mijë denarë por kot”, tha një banor.
“Për askund është kjo rrugë, në çdo njëqind metra ka o qen o gropa, çka të bëjmë. Në asnjë mënyrë kjo rrugë si ngjan autostradës aspak”, u shpreh një tjetër banor.
“Nuk investojnë, nga dhjetë mijë euro në ditë bën një pikë pagesë, i marrin paratë dhe asgjë aspak investime në rrugë”, theksoi një banor.
“Shtyllat e zhveshura dhe gropat në rrugë, nuk janë problemi i vetëm që ka autostrada Tetovë – Gostivar. Një problem shumë më serioz është mungesa e telit mbrojtës në disa pika përgjatë autostradës, gjë kjo, që iu mundëson kafshëve të egra por edhe shtëpiake, të përfundojnë në autostradë, duke rrezikuar kështu jetët e vozitësve”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar.
Autostrada nuk ka as shiritin e tretë ndihmës. Në rast të ndonjë defekti në makinë, vozitësi duhet të rrezikojë jetën duke e parkuar të njëjtën përgjatë autostradës./Alsat.mk