Dalja në skenë e Lëvizjes BESA jo vetëm që ka ndryshuar konfiguracionin e numrave të deputëtëve në Maqedoni, por ka imponuar ritëm të ri të politik bërjes në Maqedoni.
Qëndrimi kategorik i kësaj Lëvizje kundër koalicionimit me VMRO – DPMNE të Nikolla Gruevskit dhe pjesëmarrjes në Qeveri të personave me afera të hapura korruptive, ka bërë që BDI të jetë e kushtëzuar nga shumë anë dhe të mos ketë komoditetin për të vendosur si në të kaluarën për vullnetin politik të shqiptarëve. Koalicioni me LSDM mbetet opsioni i dytë i hapur, apo në të kundërtën vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Burime të portalit Sake.net bëjnë të ditur se BESA mbetet e palëkundur nga qëndrmi që, përpos ridefinimit të shtetit që nënkupton edhe ndryshimin e kushtetutës, në asnjë rrethanë mos të pranojë të qeverisë me persona që kanë të hapura procese gjyqësore me dyshimin se janë të inkriminuar në afera të ndryshme korruptive.
Një Qeveri me duar të pastra është kushti i radhës sfidues ndaj BDI – së që Lëvizja BESA pret nëse do të jetë në gjendje ky subjekt politik ta pranojë ose jo.
Në të kundërtën, përfaqësues të lartë të Lëvizjes BESA kohë më parë kanë deklaruar se do t’i garantonin numrat për një Qeveri pa Nikolla Gruevskin, respektivisht do të votonin pro, por pa hyrë në koalicion qeverisës.
LSDM dhe BDI së bashku kanë 59 mandate. 5 mandatet e BESËS do të ishin edhe vendimtaret për të formuar qeverinë e re në të cilën insiston edhe faktori ndërkombëtar. Por, për të ardhur deri tek kjo kombinatorikë qëndrojnë dy kushte thelbësore: Ridefinimi i shtetit të cilin duhet ta pranojë LSDM dhe mospërfshirja e personave të korruptuar në qeverisje, kusht ky i caktuar për BDI – në, bëjnë të ditura burimet tona të mirinformuara.
Në këto rrethana, në të kundërt, LSDM dhe BDI do të duhet që të shqyrtojnë mundësinë që të arrijnë marrëveshje me Aleancën për Shqiptarët dhe PDSH – në të cilat bashkërisht kanë 5 mandate ose vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme./Sakte.net