Gazetare: Melihate Rustemi
Disa nga shkollat fillore në vend po shfrytëzojnë pushimet verore për të rikonstruar objektin e tyre. Ndërsa Alsat qëndroi në shkollën fillore “Petar Zdravkovski Penko” të komunës së Butelit, mjeshtrit kishin nisur rikonstruimin e zyrës së mësimdhënësve ndërsa në korridorin e shkollës po hidheshin librat që tashmë sa vite kanë mbetur jashtë përdorimit.
“Kemi ndërmarr një aktivitet fillimisht për pastrimin e librave, librat të cilat nuk shfrytëzohen, të cilave u ka kaluar afati. Jemi duke punuar edhe te zyra e arsimtarëve. Kemi edhe një donator i cili do të na mundësojë një bibliotekë të re, do të sjellë disa libra. Prej verës së ardhshme do të kemi edhe bibliotekë të hapur të cilën mund ta ndjekin fëmijët edhe gjatë pushimeve verore ku mund të vijnë të lexojnë libra pa e kufizuar orën”, tha Mevlide Elezi Kryeziu, drejtoreshë e sh.f “Petar Zdravkovski Penko”.
Bashkë me mjeshtërit po punonin edhe disa nxënëse. Këto të fundit nuk bënin punë fizike por zbukuronin muret e shkollës me piktura të ndryshme.
“Së bashku me shoqet e shkollës na u dha mundësia që të shprehim talentin tek muret e shkollës, përveç se në bllokun ku vizatojmë. Kjo është një gjysmë fytyrë, një zog në natyrë, disa gjethe të bukura”, u shpreh një nxënëse.
Në shkollën fillore “Hasan Prishtina” në Çair do të punohet në rikonstruimin e sallës së sportit, tualeteve dhe 12 klasave.
“Janë në plan të renovohen 12 klasa, 12 dysheme të klasave dhe të shtrohen me linoleum. Gjithashtu, projekti I dytë është një donacion..edhe ato morën përsipër që të rinovojnë të gjitha tualetet e shkollës si dhe të ndërtojnë një tualet për fëmijët me nevoja të veçanta. Mirëpo në plan kemi edhe diçka tjetër, në fazë fillestare është edhe salla e sportit të cilën do ta financon MASH, edhe ajo të rinovohet”, deklaroi Esma Fazlija, drejtoreshë e sh.f “Hasan Prishtina”.
Sipas drejtuesve të shkollave në fjalë, punimet ndërtimore pritet të përmbyllen para fillimit të vitit të ri shkollor 2022-23.
Punimet realizohen përmes projekteve, donacione nga prindërit dhe kompani private si dhe me ndihmë të komunave./Alsat.mk