Fatmir Sheholli, me krenari e ka pranuar se ka punuar për dy organizata famëkeqe, të cilat njihen për tortura, shantazhe e vrasje ndaj shqiptarëve.
Sheholli ka thënë se para luftës ka punuar për UDB-në serbe, ndërsa paslufte për SHIK-un e Kadri Veselit.
“Unë nuk guxoj me hy në Serbi për shkak të deklaratave të mia në emisionin e Adnan Merovcit për shkak se kam treguar që në kohën kur kam punuar në Sigurim Shtetëror. Pas lufte kam punuar për Shërbimin Informativ të Kosovës dhe shefi im ka qenë Kadri Veseli, me mburrje e them këtë sepse e kam thënë kontributin në këto sfera. Bashkëpunëtorë kryesor i kam pasur Elmi Reçicën dhe Latif Gashin”, ka deklaruar Sheholli.
E ndaj deklaratave të Shehollit ka reaguar Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj.
“Deklarata i UDB-ashit, Fatmir Sheholli shpërfaq provokime të rënda që drejtuesit kryesor të SHIK-ut që i përmend duhet të sqarohen për opinion. Po ta dëgjosh me vëmendje deklaratën e UDB-shit, SHIK-istit Sheholli, detyrimisht të futë në mendime të thella dhe në fund vjen me konstatimin se cili ishte në të vërtet Sheholli, UDB-ash, SHIK-ist apo i të dyjave?”, thotë Tahiraj për “Bota sot”.
“Ai deklaron se ka punuar për UDB-n, atëherë cili ishte misioni i tij në UDB, me çfarë informatash e furnizoji ke kishte për detyrë ta përcjelli kur dihet se shumë atdhetarë shqiptarë u vranë, u burgosen, u torturuan dhe u masakruan?”, shton Tahiraj.
Sipas tij, Fatmir Sheholli duhet të përgjigjet se cila ka qenë detyra e tij në SHIK, për të cilin shërbim thotë se ndoqi e vrau veprimtarët e LDK-së.
“Gjithashtu deklaron se ka punuar për SHIK-un, përmend edhe eproret e tij dhe se ndihet krenarë për punën që ka bërë! Cila ishte detyra e tij në SHIK, kë kishte për detyrë ta përcillte, cilat informata i dërgoi dhe për kë kur dihet se shumë veprimtarë të LDK-së dhe institucioneve që drejtonte ajo u vranë, u rrahën dhe maltretuan brutalisht. Çuditërisht në këtë pikë përputhen përafërsisht të dy këto shërbime, pra vrasje, burgosje, tortura dhe ekzekutime misterioze të cilat nuk u zbuluan kurrë deri më sot”, thekson Tahiraj.
Ai thotë se nga deklaratat e Shehollit, mësohet se SHIK-u ka bashkëpunuar me UDB-në serbe.
“Në këto dy shërbime shërbeu “Xhejms Bondi” shqiptar dhe çuditërisht shpëtoi pa therr në këmbë, jeton dhe vepron i paprekur nga askush dhe pa i japë llogari askujt! Nëse i qëndroi besnik UDB-së, si pat mundësi të futet në SHIK dhe të punojë për të? Nëse i qëndroi besnik SHIK-ut si pat mundësi t’i shpëtoj UDB-së, apo ndoshta ka pasur ndonjë lidhshmëri apo bashkëpunim në mes këtyre dy shërbimeve”, shprehet Tahiraj për “Bota sot”.
Për fund, Tahiraj thotë se Fatmir Sheholli duhet t’i bashkohet Kadri Veselit në Gjykatën Speciale.
“Sikur vërtet të kemi shtet funksional ky njeri duhet burgosur dhe të tregon për veprimet kriminale që bëri UDB mbi shqiptaret. Gjithashtu duhet të sqaroj për shumë vrasje të veprimtarëve të LDK-së që dyshohet se i ka bërë SHIK-u. Ky far “Xhejms Bondi” shqiptar është një pistë e mirë hetimi për Gjykatën Speciale, do ishte mirë që sa më parë të i bashkëngjitet eprorit të vet në Hagë!”, përfundon për “Bota sot” Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj.