Irani të dielën akuzoi Uashingtonin se po provokon tensione në Lindjen e Mesme. Këto akuza vijnë një ditë pasi presidenti amerikan, Joe Biden, përfundoi vizitën e tij në Arabinë Saudite dhe në Izrael.
Uashingtoni “dhe një herë po drejton politikën e dështuar të iranofobisë, duke u përpjekur të krijojë tensione dhe kriza në rajon”, tha përmes një deklarate zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanani.
Komentet vijnë pasi Biden të shtunën u zotua se Shtetet e Bashkuara “nuk do të tolerojnë përpjekje nga ndonjë shtet për të dominuar shtetet tjera në rajon përmes grumbullimeve ushtarake, inkursioneve apo kërcënimeve”, deklaratë që duket se ishte referencë për Iranin.
Gjatë samitit të gjashtë shteteve të Gjirit, që u mbajt në Jeddah të Arabisë Saudite, Biden deklaroi se Uashingtoni do të mbetet plotësisht i angazhuar në Lindjen e Mesme.
“Ne nuk do të largohemi dhe të lëmë që vakumi të mbushet nga Kina, Rusia apo Irani”, tha presidenti amerikan.
Pas samitit, përmes një deklarate të përbashkët, liderët u zotuan për “ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit rajonal”.
Teherani, që mohon se po kërkon që të krijojë bombë bërthamore, hodhi poshtë të dielën deklaratat e bëra në Jeddah.
“Këto pretendime të rreme janë në linjë me politikën e Uashingtonit në rajon”, tha Kanani.
Biden nisi turneun e tij rajonal të mërkurën në Izrael, pastaj vizitoi territoret palestineze dhe më pas qëndroi në Arabinë Sauidte.
Kenani tha se ky pakt “është shenjë e dëshpërimit dhe hipokrizisë” së SHBA-së, pasi sipas tij, Uashingtoni po mbyll sytë para “regjimit Zionist [të Izraelit] që ka arsenalin më të madh bërthamor në rajon”.
Izraeli besohet gjerësisht se ka arsenal të padeklaruar bërthamor.
Ndërkaq, fuqitë botërore po tentojnë që të ringjallin një marrëveshje bërthamore me Iranin, të arritur më 2015, që kërkon frenimin e aktiviteteve të programit bërthamor të Iranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. Por, bisedimet për ringjalljen e marrëveshjes kanë ngecur që nga muaji mars./REL