Gazetar: Ile Petrevski
Qytetarët që do të vendosin fotovoltaikë në kulmet e shtëpive, dhe objekteve të tyre banesore mund të ulin në mënyrë drastike shpenzimet e energjisë elektrike, thotë për Alsat kryetari i Komisionit Rregullator për Energji, Marko Bislimovski.
Sipas përllogaritjeve të tij, amvisëritë që nuk ngrohen me energji elektrike, dhe instalojnë fotovoltaikë me fuqi gjashtë kilovat orë do të plotësojnë nevojat e tyre për energji elektrike. Sipas çmimeve të tregut, investimi i një familjeje do të shkonte nga katër deri në pesë mijë euro.
“Familjet duhet të motivohen që të vendosin fotovoltaikë në çatitë e tyre dhe në këtë mënyrë të ulin varësinë e importit, nga energjia elektrike. Ndonëse, me sa duket, gjashtë kilovat janë shumë pak, por le të themi se 10 mijë amvisëri instalojnë nga gjashtë kilovat secila, pra 60 megavat, është si një hidrocentral më i madh në Maqedoni. Para së gjithash, do të ndihmojë amvisëritë dhe të gjithë sistemin elektrik në vend”, tha Marko Bislimovski- Kryetar në KRRE.
Nga EVN thonë se rregullat e reja nuk do të kenë ndikim negativ në punën e tyre. Sipas kompanisë energjetike, heqja e tarifës së rrjetit, pra kostos së përdorimit të rrjetit të shpërndarjes për konsumatorët-prodhues, shkon tërësisht në favor të zbatimit të ndryshimeve në Rregulloren për burimet e rinovueshme.
“Me këto ndryshime u bë i mundur kompensimi i amvisërive për tepricën e energjisë elektrike të prodhuar, që nuk shfrytëzohet nga konsumatori-prodhues dhe dërgohet në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike.
Në vend 450 deri në 500 amvisëri kanë instaluar panele diellore. Por, ky numër ka qenë para ndryshimeve në rregullore që thoshin se për instalimin e fotovoltaikëve është e nevojshme dalja në tregun e lirë të energjisë elektrike. Tani që rregullatori ka hequr tarifën e rrjetit, për përdoruesit e fotovoltaikëve, energjia elektrike që lëshohet në rrjet, mundet që amvisëria të jetë shfrytëzues i shërbimeve të EVN-së”, thanë nga EVN./Alsat.mk