“Sindikata pjesë e vendimmarrjes për çdo germë të ligjit të ri për artin”, Artan Imami: Rritja e rrogave të aplikohej me Teatrin Kombëtar, që ka kushte më të vështira pune!

Trupa artistike e Teatrit Kombëtar është një aset i rëndësishëm me vlera të pashlyeshme, shprehet aktori Artan Imami.

Kryetari i Sindikatës së Artistëve të Teatrit Kombëtar Artan Imami flet për takimin, që u zhvillua së fundmi në Ministri të Kulturës në lidhje me problemet e artistëve në aktivitetin artistik, ku disa nga çështjet e trajtuara ishin pagat e artistëve, shpërblimi artistik, kushtet e punës, ligji i ri i artit, etj. Në intervistën për gazetën “SOT” aktori i njohur Artan Imami shprehet se më e logjikshme është që rritja e rrogave të aplikohej së pari me Teatrin Kombëtar, që ka kushte edhe më të vështira pune. Aktori thotë se në takimin në ministri, një nga kërkesat e tij në lidhje me ligjin e ri të artit ishte përfshirja e sindikatës së artistëve në grupin e punës me të drejta të plota. Ndër të tjera aktori i njohur Artan Imami kreu i Sindikatës së Artistëve të Teatrit Kombëtar tregon se shqetësimit të tij për zëra, që flasin mbi mundësinë e organizimit në mënyrë të ndryshme nga çka është deri më sot i Teatrit Kombëtar, Ministria e Kulturës u përgjigj se nuk ka asnjë projekt të kësaj natyre.

-Si kryetar i Sindikatës së Artistëve të Teatrit Kombëtar morët pjesë në takimin, që zhvillua në Ministrinë e Kulturës bashkë me përfaqësues të sindikatave të tjera të institucioneve. Çfarë mund të na thoni mbi këtë takim?

Pas insistimit tonë për një takim në Ministrinë e Kulturës me ministren ose me zyrtarë të saj, të mërkurën ky takim u realizua. Të pranishëm në takim ishin këshilltari i ministres, shefi i kabinetit dhe sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Kulturës. Ishin disa kryetarë të sindikatave kryesore të artit, si dhe kryetari i Sindikatës së Artistëve të Tiranës njëkohësisht dhe sekretar i Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë. Ne ishim thirrur për të gjitha llojet e problematikave, që kishte çdo njëri prej institucioneve, sigurisht duke u vënë theksi në kërkesat financiare dhe ekonomike. Këto kanë qenë kërkesa të përsëritura nga Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë ndër vite. Vendimin e Këshillit të Ministrave, që rriste rrogat e artistëve të TKOBAP ne të gjithë e vlerësuam, gjithashtu kërkuam të dinim çfarë planesh ka Ministria e Kulturës bashkë me qeverinë për të bërë të njëjtën gjë edhe në institucione të tjera të artit, meqenëse sistemi i pagave në institucionet kombëtare është pothuajse i njëjtë. Të gjithë folën për ato probleme, që kishin në institucionet e tyre. Për Teatrin Kombëtar unë parashtrova disa kërkesa, ku pasi i bëra përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës një historik të shkurtër të trajtimit financiar që ka pasur trupa artistike e teatrit, duke përmendur ndër të tjera atë çka ligji parashikon edhe sot, shpërblimin artistik, të cilin ne e kemi marrë ndër vite por që në 7 vitet e fundit është ndërprerë. Gjithashtu ne kemi pasur mundësinë që raporti i shfrytëzimit të të ardhurave, që vinte nga shitja e biletave, përqindjen më të madhe e merrte TK, që e përdorte për nevojat e veta, gjë që sot ekziston në një raport diskriminues për TK. Sigurisht kërkova me forcë që të njësohet paga e trupës artistike dhe e punonjësve të teatrit në të njëjtën masë siç është bërë në TKOBAP. Për problematika të tjera që ne kemi pasur dhe që kushtëzohen nga vendimmarrja e Ministrisë së Kulturës, kryesorja është mosmarrja në dorëzim e Qendrës së Artit “ArTurbina” nga Teatri Kombëtar.

-Pse deri tani ky problem që ju thoni për qendrën “ArTurbina” nuk ka gjetur zgjidhje, çfarë ka sjellë kjo?

Kjo nënkupton që teatri edhe nëse do të donte të korrigjonte ato defekte, që arkitektët dhe firma e ndërtimit që ka ndërtuar atë i ka lënë mangët, ne nuk mund ngulim dot as edhe një gozhdë në atë godinë. Arsyet pse ajo godinë nuk është marrë ende në dorëzim nga Teatri Kombëtar për mua janë të panjohura. Në takim i bëra kërkesë ministrisë dhe ishte një nga pikat kryesore, që të jepte shpjegime mbi këtë çështje.

-Për “ArTurbinën” edhe më parë ka pasur artistë, që janë shprehur se ka probleme në aktivitetin e tyre. Çfarë është shqetësuese për ju?

Akustika e sallës, që është në gjendje të keqe. Ju thashë, që një teatër i prozës nuk mund të kuptohet dhe vlerësohet vetëm nga gjerësia apo thellësia e sallës apo sistemi i ndriçimit dhe i fonisë, por kryesore është akustika e sallës te “ArTurbina”, që lë për të dëshiruar. Problem është edhe dhomat e zhveshjes se aktorëve, ka vetëm 2 dhoma të vogla zhveshjeje apo ambiente të vogla për garderobën, rekuizitën, etj.

-Ligji i ri i artit ka qenë një nga kërkesat, që Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë  ka bërë me dije herë pas here. Si do të jetë roli i sindikatës së artistëve?

Kërkova dhe iu thashë që është një kusht i panegociueshëm për sindikatën pjesëmarrja në grupin e punës për ligjin e ri të artit. Parashikohet që të ngrihet një grup pune dhe të punohet gjatë këtyre muajve për projektligjin, që të mund të çohet në të gjitha ministritë e linjës. Për ligjin aktual mbi artin dhe kulturën ne kemi vite që flasim dhe është lënë në një ngërç të pakuptueshëm edhe statusi i artistit. Sigurisht të gjithë këtë tematikë e trajtuan dhe kryetarët e sindikatave të institucioneve të tjera të artit në atë takim. Sindikata duhet të jetë jo thjesht për t’iu dëgjuar zëri, por duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes për çdo germë të ligjit të ri për artin dhe këtë gjë e pranoi edhe Ministria e Kulturës. Por kërkova në atë takim të merrja informacion çfarë po bëhet apo ka nisur puna edhe mbi ligjin për sponsorizimet. Ka një ligj sponsorizimesh sot, por është diskriminues për artin dhe kulturën.

-Ju jeni shprehur në ministri për disa probleme, çfarë mund të na thoni për kontratat e artistëve?

Një problematikë edhe për institucionet e tjera të artit ka qenë kontrata kolektive dhe ajo individuale të trupës artistike. Morëm atë përgjigje që unë tashmë isha i qartë dhe kam qartësuar edhe trupën artistike të teatrit, që kontratat individuale bëhen në momentin kur punëdhënësi i merr ata në punë dhe pastaj kontrata kolektive është ajo që qëndron në bazë të të gjitha marrëdhënieve, që ka punëdhënësi me punëmarrësin. Në rastin konkret meqenëse ka ndodhur muajt e fundit një tentativë nga drejtoria e Teatrit Kombëtar për të rifirmosur kontrata individuale, të cilat ishin nonsens, mora po të njëjtën përgjigje nga Ministria e Kulturës, që ato janë nonsens dhe në kundërshtim me kodin e punës dhe udhëzimet e ministrisë. Kontrata kolektive që ka lidhur SPASH me Ministrinë e Kulturës është themeli i çdo lloj marrëdhënie që ka punëdhënësi, pra çdo institucion me punëmarrësin, me artistët.

-Kemi titullarë institucionesh në varësi të Ministrisë së Kulturës, që iu ka mbaruar mandati. Për këtë çështje, ju çfarë kërkuat?

Të gjithë përfaqësuesit e sindikatave të institucioneve të artit kërkuan të dinë kur do hapen konkurset për drejtuesit e rinj. Teatri Kombëtar është njëri prej tyre, që drejtorit i ka mbaruar mandati. Dhe për këtë ne morëm një përgjigje, që u tha që janë katër që duhet të bëhen. Nuk bëhen në të njëjtën kohë, por do të bëhen shumë shpejt.

-Si u pritën kërkesat e artistëve që shprehën kryetarët e sindikatave të institucioneve të artit, në takimin në Ministrinë e Kulturës?

Atmosfera ishte miqësore dhe konstruktive. Ne morën përgjigjet për çështjet që trajtuam atje. Për rritjen e rrogave në TKOBAP, argumentimi i Ministrisë së Kulturës ishte që meqenëse investimi për rikonstruksionin e teatrit kishte pasur një kosto të madhe, rritja e rrogave të artistëve zinte një zë të papërfillshëm në shumën totale që është investuar për atë institucion, si investim kapital dhe material dhe kjo e bënte më të pranueshme edhe rritjen e pagave. Në fjalën time mbështeta idenë se më duket normale rritja e rrogave në cilindo moment, aq më tepër më duket më e logjikshme që kjo gjë të aplikohej së pari me TK, që ka kushte më të vështira pune. Në lidhje me rritjen e pagave sidomos për Teatrin Kombëtar përgjigja nga përfaqësues të ministrisë ishte që Ministria e Kulturës është duke planifikuar zë për zë për të gjitha institucionet edhe për Teatrin Kombëtar paketa të caktuara investimi, ku na u dha dhe lajmi që së shpejti fillon dhe ngritja e Teatrit të ri Kombëtar. Në këtë kuadër meqenëse dhe Ministria e Kulturës është e përfshirë në atë projekt, një nga zërat që është planifikuar për tu paraqitur si propozim pranë Ministrisë së Financave për buxhetin e ri në fund të vitit është dhe rritja e rrogave.Sugjerova që të gjitha propozimet që do të vinin prej nesh për të gjetur edhe rrugë te tjera alternative, psh të ardhurat që vijnë nga biletat, raporti që kemi ne si teatër për shfrytëzimin e atyre parave, etj, së bashku me të gjitha propozimet e tjera për të gjitha çështjet që ne ngritëm në atë takim, ligji, statusi, të pasqyrohen në kërkesat për buxhetin e ri. Ministria kërkoi që të gjitha propozimet juridiko-financiare të vinin me shkrim, që të përfshihen në proces.

-Ju u shprehët se në atë takim u bë me dije se do të nisë puna për ligjin e ri të artit, a patët ndonjë shqetësim që e shprehët sa i takon strukturës së organizimit të institucioneve?

Kërkesa ime në lidhje me ligjin e ri të artit ishte përfshirja e sindikatës në grupin e punës me të drejta të plota. Kërkova forcimin dhe mbrojtjen e trupës artistike tëTK, si një aset i rëndësishëm dhe me vlera të pashlyeshme. Ministria e Kulturës konfirmoi se kjo kërkesë legjitime është e pranueshme dhe e pranuar. Shqetësimit tim për zëra, që flasin mbi mundësinë e organizimit në mënyrë të ndryshme nga çka është deri më sot i Teatrit Kombëtar dhe më konkretisht propozime për shkrirjen e trupës artistike permanente, dhe kthimin e Teatrit Kombëtar bazuar në projekte të jashtme, ku aktorët do të kenë kontrata të përkohshme, etj, Ministria e Kulturës u përgjigj se nuk ka asnjë projekt të kësaj natyre./GSH

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme