Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, njoftoi sot se janë duke bërë përgatitje që deri në fund të vitit të dorëzojnë aplikimin për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
Në një konferencë për media, Gërvalla tha se Kosova i plotëson të gjitha parakushtet për një kandidaturë të tillë, por se janë duke pritur momentin e përshtatshëm për ta dorëzuar aplikimin.
“Sa i përket aplikimit për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian, mendojmë se Kosova i plotëson të gjitha kushtet për këtë dhe do të presim deri në fund të vitit për të zgjedhur momentin e përshtatshëm, për ta dorëzuar aplikimin”, u shpreh kryediplomatja, raporton Telegrafi.
Ajo tutje deklaroi se do të punojnë intensivisht që një aplikim i tillë të jetë i suksesshëm.
Mes tjerash, Gërvalla foli edhe për procedurat pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Ajo tha se presin që pas pushimeve verore të kalohet procedura dhe të fillojë në Asamblenë Parlamentare.
“Ne presim që procesi të mos zgjasë aq shumë sa ka zgjatur për disa vende të rajonit. Procesin e kemi të shëndetshëm dhe gëzon përkrahje politike nga një numër i madh i vendeve anëtare të KiE-së”, përfundoi ajo.