Kronologjia e vetëvrasjeve në Kosovë, fenomenit që po shqetëson shoqërinë

Vetëvrasja është një ndër fenomenet shoqërore që e ka kapluar edhe shoqërinë kosovare.  Ky fenomen nënkupton marrjen e jetës së vetvetes pa të drejtë për shkaqe dhe rrethana të ndryshme, shkruan Syri. net Kosova.

Nga janari deri më 15 maj të vitit 2022 në Kosovë kanë ndodhur nëntë raste të vetëvrasjes dhe 40 tentim-vetëvrasje. Këto statistika i ka bërë të ditura Policia e Kosovës. Po sipas policisë, gjatë periudhës 2019-2021 kanë qenë 115 vetëvrasje.

 Ndërsa, kronologjikisht, këto janë statistikat e vetëvrasjeve në Kosovë për periudhën nga viti 2010 deri në 2018:

Viti 2010:   Janë evidentuar: 67 vetëvrasje

Viti 2011:   Janë evidentuar: 52 vetëvrasje

Viti 2012:   Janë evidentuar: 58 vetëvrasje

Viti 2013:   Janë evidentuar: 45 vetëvrasje

Viti 2014:   Janë evidentuar: 77 vetëvrasje

Viti 2015:   Janë evidentuar: 60 vetëvrasje

Viti 2016:   Janë evidentuar: 37 vetëvrasje

Viti 2017:   Janë evidentuar: 32 vetëvrasje

Viti 2018    Janë evidentuar: 37 vetëvrasje.

Vetëvrasja, një dukuri sociopatologjike

Vetëvrasja si dukuri shoqërore paraqet një fenomen shumë kompleks. Në favor të kësaj flet fakti se dukuria e vetëvrasjes ka qenë objekt diskutimi dhe preokupimi gjatë tërë civilizimit, me të janë marrë religjioni, shkenca, letërsia, arti, filozofia, drejtësia, mjekësia dhe shum fusha të tjera etj.

Vetëvrasja paraqet akt të thellë individual, personal, dhe intim, por ajo njëkohësisht në esencë është edhe dukuri shoqërore, për arsye se paraqitet si pasojë e marrëdhënieve të çrregulluara të individit dhe shoqërisë prandaj gjatë definimit të saj duhet të merren parasysh të dy këto elemente.

Domethënë si dukuri sociopatologjike, e cila preokupon mendimin social nga shumë disciplina shkencore: filozofinë, sociologjinë, teologjinë, etikën, drejtësinë, statistikën dhe si problem individual, i cili e preokupon mjekësinë, psikiatrinë, kriminologjinë, kriminalistikën etj. Kjo tregon se bëhet fjalë për një dukuri shum komplekse dhe specifike.

Çfarë thotë sociologjia për vetëvrasjen?

Studimet dhe kërkimet e deritanishme të rasteve të vetëvrasjes nga aspekti sociologjik tregojnë se shkaqet kryesore të paraqitjes së saj janë të natyrës sociale dhe individuale. Marrëdhëniet e shëndosha familjare, kushtet dhe gjendja e mirë materiale, raportet korrekte me mjedisin, zhvillimi normal dhe pa trauma i personalitetit prej fëmijërisë, konsiderohen si rrethana që në masë të dukshme parandalojnë vetëvrasjen.

Nga ana tjetër familja e çrregulluar, raportet konfliktuoze në mes të anëtarëve, traumat, streset, mosaftësia e zgjidhjes së problemeve dhe halleve jetësore janë faktorë që i kontribojnë vetëvrasjeve.

Në këtë drejtim përmenden sëmundjet dhe çrregullimet mentale, depresionet dhe psikopatitë e ndryshme, lëngimi nga sëmundjet e rënda dhe të pashërueshme, humbja e personave më të dashur dhe të afërt, humbja e vetëbesimit, frika nga përgjegjësia për veprime apo mosveprime të ndërmarra, ndjenja e izolomit dhe braktisjes, hakmarrja ndaj të tjerëve, melankolia dhe depresioni i gjatë, ambiciet e tepruara dhe mosrealizimi i tyre, humbjet e pasurisë, zhgënjimi në miq dhe ndjenja e tradhtisë, shtatzania e padëshiruar, vetmia, dashuria e pafat, konsumimi i alkoolit, drogës dhe abuzimi i tyre, devijimet e ndryshme në kënaqjen e epsheve seksuale, aderimi dhe përkatësia në sekte apo grupe kulti që preferojnë vetëvrasjet dhe shumë shkaqe tjera.

Në kontekstin sociologjik mund të themi se vrasjet gjithashtu ndodhin edhe si rezultat i modelit kulturor dhe të sjelljes së të mësuarit me gjuajtje me armë dhe prezencës së lartë të armëve në duart e qytetarëve. Po ashtu, devijanca mund të sjell deri te rebelimi ndaj normave shoqërore dhe si e tillë ajo paraqet edhe pasoja të tjera për shoqërinë.

Një teori tjetër është edhe teoria e dezorganizimit social, sipas së cilës shoqëria ka një qëndrueshmëri sociale e cila rezulton në atë se tek anëtarët e shoqërisë ekziston një konsensus për të mirën e përbashkët dhe se kjo e mirë e përbashkët ka një relacion me qëndrueshmërinë dhe sigurinë e rrjedhave shoqërore.

Në këtë rast dezorganizimi social ka të bëjë me prishjen e kësaj qëndrueshmërie apo thyerjen e unitetit të qëllimeve, të cilat mund të sjellin deri tek gjendja e pa balancuar në shoqëri. Në këtë segment, si rezultat i mos pranimit të kushteve të reja shoqërore vie deri te dekuilibrimi shoqëror dhe sjelljet devijante, të cilat mund të prodhojnë edhe pasoja tjera kriminale siç është vrasja.

Shkaqet apo motivet e vërteta të vetëvrasjes, vështirë mund të zbulohen, ato më së shpeshti i merr me vete i vetëvrari. Zakonisht për këto motive mësohet nga letrat përshëndetëse, porositë e ndryshme të fundit, nga informatat e anëtareve të familjes dhe shokëve, nga organet e policisë, gjykatave etj, por më tepër se gjysma e motiveve mbeten të panjohura, shkruan Syri.net Kosova

Sociologu Ferdi Kamberi, ka thënë se në mënyrë që të minimizohet ky problem shoqëror, është e nevojshme që të ketë politika nga institucionet e Kosovës për integrimin e personave që kanë pasur tentim vrasje, familja si institucion thelbësor duhet të ketë një komunikim me anëtarët e saj, të shtjellohen problemet dhe sfidat dhe individët që kanë probleme të marrin përkrahje nga familja.

“Për këtë me siguri ka disa faktorë: gjendja anomike – shkëputja e normave shoqërore, kriza e vlerave e cila ka prodhuar krizë të identetit, pastaj mungesa e profesionalizmit adekuat, mungesa e qendrave për trajtim shpirtëror.

Faktor tjetër me rëndësi është edhe stresi posttraumatik, i cili zakonisht ndodh tek ato vende që kanë pasur periudhë konflikti. Andaj, nëse merret parasysh analiza e gjendjes faktike, do të shohim se pjesa më e madhe e personave që kanë përfunduar në vetëvrasje në kohën e konfliktit në Kosovë kanë qenë kryesisht në moshën madhore, gjë që jep një sinjal të qartë”. ka thënë ai.

Ndikimi i pandemisë

“Kryen vetëvrasje”, “Bie nga ndërtesa”, “I jep fund jetës”…Këto janë disa titujt që i hasim shumë shpesh në media. E, këto tituj janë shtuar që nga nisja e pandemisë Covid-19, dhe jo vetëm në Kosovë.

Sociologu Fadil Kamberi është prononcuar për Syri.net Kosova, duke thënë se pandemia globale ka rritur dukshëm këtë fenomen.

“Pandemia ka shkaktuar problem dhe pasiguri, në të njëjtën kohë ka rritur nevojën për trajtime psiko-sociale. Pandemia ka rritur numrin e vrasjeve, vetëvrasjeve, dhunës në familje si dhe dukurive të tjera”, ka thënë ai.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh), ka konkluduar se Covid-19 shkakton pasoja direkte dhe indirekte në shëndetin mendor dhe neurologjik të pacientëve të prekur. Disa nga këto ndërlikime janë: dementia encefalopati, agjitacion, goditje në tru, pagjumësi, humbje e shqisës së shijes dhe nuhatjes, ankth, depression etj.

Fenomeni i vrasjeve në Kosovë pas vitit 1999 e këtej është shndërruar në ato fenomene, të cilat kanë pasur një rritje dhe pasoja jashtëzakonisht të rënda për familjen, komunitetin dhe shoqërinë në përgjithësi.

Ky fenomen është shqetësues për shoqërinë kosovare për shkak se atakon drejtpërdrejt jetën e individit dhe bart në vete një mori pasojash, të cilat mund të reflektojnë në periudhat afatgjata dhe nëse nuk merren masa preventive me kohë, atëherë ky fenomen mund të jetë në rritje që do të reflektonte edhe në gjeneratat e reja, duke prodhuar kështu një modelim të shoqërisë së dhunshme.

Rritja e këtij fenomeni, padyshim se paraqet një problem gjithëshoqëror për shkak se përveç bart në vete pasoja të shumta tek individi, familja, komuniteti dhe vetë shoqëria, ndër to:  izolimi social, mungesa e integrimit shoqëror, problemet me stresin dhe depresionin, shpërfaqje e panikut dhe pasigurisë sociale, humbje e besimit ndaj institucioneve të vendit, mundësi e gjakmarrjes, linçimin publik (stigma), ndërprerjen e shkollimit për fëmijët, vuajtjet e tyre, si dhe pasoja të tjera./ Përgatiti SH A./ Syri.net Kosova

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme