Gazetare: Melihate Rustemi
Rinovimi i tualeteve, lyerja dhe izolimi i shkollës janë vetëm disa nga punimet që po realizohen në shkolla të caktuara në kohën kur nxënësit po shijojnë pushimet e verës, shkruan Alsat.
Në shkollën fillore “7 Marsi” në Çair tashmë pritet të nis faza e dytë e punimeve ndërtimore që sipas drejtoreshës së re Fitore Qirezi po bëhet me donacion të prindërve.
“Tualetet krejtësisht do të renovohen me të reja.Në fazën e dytë parashihet disa grilla në depo që do ti bëjmë për sigurimin e mjeteve dhe donacioneve që do të na vijnë qoftë në mjete ose në mjete teknologjike. Suvatimi dhe lyerja e mureve të katit të dytë. Gjithashtu edhe izolimi I tërësishëm I kulmit, edhe pse është bë më herët por prap është jë mnagësi e izolimit dhe ka rrjedh nga kulmi. Të gjitha këto janë donacion dhe organizim i atyre prindërve që kanë qasje dhe kuptojnë nga ndërtimtaria”, tha Fitore Qirezi, drejtoreshë e sh.f “7 Marsi”.
Deri më 10 gusht, vazhdon të mbetet e hapur thirrja publike për dorëzimin e kërkesave nga shkollat, komunat dhe qyteti i Shkupit për financimin e projekteve për ndërtimin, zgjerimin, mbindërtimin dhe rikonstruksionin e objekteve shkollore në shkollat fillore dhe të mesme.
“Shumë e rëndësishme është çështja e dokumentacionit teknik. Shumë hasim në vështirësi në komunikim qoftë me shkollat fillore dhe të mesme, qoftë edhe me komunat. Çështjet pronësore të objekteve janë të parregulluara, çështja e dorëzimit të një dokumentacioni komplet ku përfshihen edhe lejet nga ana e komunave të pushtetit lokal. Deri në datën 10 gusht do të kemi listën paraprake për ta përgatitut programin për vitin 2023”, tha Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.
Shaqiri tha se projektet që do të dorëzohen nga shkollat, komunat dhe qyteti i Shkupit duhet të kenë koncept dhe elemente të mbrojtjes së mjedisit jetësor, efikasitetit energjetik dhe përfshirjen e të gjithë fëmijëve. / Alsat.mk