Vazhdojnë “fërkimet” mes Policisë Financiare dhe Prokurorisë

Gazetare: Mirjana Davidovska

Kallëzim penal nga një person fizik është dorëzuar kundër drejtorit të Policisë Financiare në Prokurorinë e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Bëhet fjalë për person nga Dibra i cili në denoncim pohon se drejtori i Policisë Financiare ka bërë vepër penale “Keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit”, “Torturë në kryerjen e detyrës si dhe vepër penale “Dhunë”. Në arsyetimin e tij thotë se drejtori Arafat Muaremi, nga shkurti i këtij viti e ka shantazhuar, e ka kërcënuar dhe ka kryer dhunë, duke shfrytëzuar postin e tij. Përveç në Prokurori, personi në fjalë ka denoncuar edhe tek kryeministri, Prokurori Shtetëror Publik dhe ministri i Financave. Nga Prokuroria e konfirmojnë për kallëzimin e dorëzuar penal, që është me datën e djeshme, por nuk zbulojnë më shumë detaje.

Drejtori i Policisë Financiare Arafat Muaremi nuk është i befasuar nga ky kallëzim dhe thotë se bëhet fjalë për sulm të inskenuar nga person ndaj të cilit ka procedurë në Policinë Financiare.

“Ne jemi të vetëdijshëm se këto sulme të inskenuara të qëllimshme dhe të pabaza ndaj nesh vijnë nga e njëjta qendër për të cilën tashmë janë duke u zhvilluar në mënyrë aktive procedurat përkatëse në Drejtori, por edhe në institucione të tjera, varësisht nga autoriteti i institucionit”, tha Arafat Muaremi – Drejtor i Policisë Financiare.

Muaremi pret që sulmet e tilla të vazhdojnë, por edhe një herë u ka bërë thirrje institucioneve kompetente që të veprojnë sipas parashtresave që ai i ka paraqitur për bastisje të kundërligjshme në Administratë me urdhër të prokurorisë së Ruskovskës. Ai sot ka dorëzuar parashtresë në Këshillin Gjyqësor dhe kërkon përgjegjësi nga gjyqtari që e ka miratuar bastisjen. Këshilli Gjyqësor konfirmon se është pranuar ankesa.

“Në njërën nga seancat e radhës të këshillit, me short do të formohet komision prej tre anëtarësh, i cili do të përgatisë raportin nëse do të vazhdojë apo do të ndalet procedura për gjykatësin. Duke pasur parasysh që raste të tilla janë konfidenciale, Këshilli Gjyqësor nuk mund të japë më shumë detaje”, njoftojnë nga Këshilli Gjyqësor.
Në ndërkohë, prokurori i shtetit Joveski ende nuk është deklaruar nëse do të ketë përgjegjësi për prokuroret e krimit të organizuar për veprime të kundërligjshme në lidhje me bastisjen në Drejtorinë e Policisë Financiare. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme